Ish-Drejtori i Administratës Presidenciale ruse, Anatoli Chubais, ka dhënë dorëheqjen dhe është larguar nga vendi, duke përmendur kundërshtimin e tij ndaj luftës së presidentit Vladimir Putin, në Ukrainë. Chubais, deri tani, është zyrtari i nivelit më të lartë që është shkëputur nga Kremlini për shkak të pushtimit.
Chubais, 66 vjeç, është një nga të paktët reformatorë ekonomikë të epokës 1990, i cili kishte mbetur në qeverinë e Putinit dhe kishte mbajtur lidhje të ngushta me zyrtarët perëndimorë.
I njohur si arkitekti i privatizimeve të viteve 1990 të Rusisë, Chubais i dha Putinit punën e tij të parë në Kremlin në mesin e viteve 1990 dhe fillimisht mirëpriti ngritjen e tij në pushtet në fund të asaj dekade. Nën Putinin, Chubais mori poste të larta në kompanitë e mëdha shtetërore dhe mori pjesë si delegat në shumë samite ndërkombëtare.
Që nga lufta, qeveria ka rritur presionin ndaj kritikëve vendas të pushtimit. Putini paralajmëroi më 16 mars se do ta pastronte Rusinë nga “llumrat dhe tradhtarët” që ai akuzon se punojnë fshehurazi për SHBA-në dhe aleatët e saj. Duke u përballur me shkrirjen ekonomike, udhëheqësi rus akuzoi Perëndimin se dëshiron të shkatërrojë Rusinë.
“Gjithsesi, çdo komb, veçanërisht ai rus, është gjithmonë në gjendje të dallojë patriotët e vërtetë nga llumi dhe tradhtarët dhe këta të fundit t’i pështyjë sikur diçka e pështirë të futet në gojë”, tha Putin. “Jam i bindur se ky pastrim natyror dhe thelbësor i shoqërisë sonë do të përfundojë duke e bërë vendin tonë më të fortë, solidaritetin tonë dhe aftësinë tonë për t’iu përgjigjur sfidave”.
Javën e kaluar, Arkady Dvorkovich, i cili ishte këshilltar i lartë ekonomik i ish-presidentit, Dmitry Medvedev, gjatë presidencës së tij dhe zëvendëskryeministër deri në vitin 2018, dha dorëheqjen si kreu i fondit të teknologjisë Skolkovo të mbështetur nga shteti pasi dënoi pushtimin. Dvorkovich, i cili është gjithashtu president i Federatës Ndërkombëtare të Shahut, është një nga disa ish-zyrtarë të lartë që kanë folur kundër luftës.