Tani është zyrtare. Federata Spanjolle e Futbollit dhe Federata Portugeze e Futbollit kanë përfshirë Federatën e Ukrainës në përpjekjen e tyre për të organizuar Kupën e Botës 2030.
Luis Rubiales dhe Fernando Gomes, drejtuesit kryesorë të dy Federatave Spanjolle dhe Portugeze, janë të mendimit se nuk ka asgjë më të mirë se një Botëror për të përcjellë me forcë një mesazh që do të shërbejë si burim frymëzimi në të ardhmen.
Me mbështetjen e plotë të Aleksander Ceferin, oferta përfshin federatën e kryesuar nga Andriy Pavelko për të ndërtuar ura dhe për të projektuar një mesazh uniteti dhe solidariteti nga i gjithë futbolli evropian.
Kandidatura gjeneron shpresë dhe ofron mjete për rindërtim për popullin ukrainas, i cili ka shprehur krenarinë dhe mirënjohjen për pjesëmarrjen në këtë projekt.
Komisioni i drejtuar nga Antonio Laranjo po punon tashmë me pjesëmarrjen e Ukrainës, e cila së shpejti do të përfshijë anëtarët e delegacionit të saj.
Mirëpo, në garë për organizimin e Kupës së Botës 2030 nuk janë vetëm tre vendet e sipërpërmendura.
Arabia Saudite, Egjipti dhe Greqia po punojnë së bashku për një organizim të mundshëm. Gjithashtu një ofertë ka ardhur edhe nga Amerika e Jugut: Argjentina, Kili, Paraguai dhe Uruguai kanë vendosur të paraqesin një ofertë të përbashkët.
Mbretëria e Bashkuar dhe Republika e Irlandës e kanë braktisur garën për Kupën e Botës 2030 për t’u fokusuar në Euro 2028.