Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) do të mbajë zgjedhjet për President më 2 mars. Gjatë kësaj të premte të 11 shkurtit u mblodh Komisioni i Verifikimit pranë FSHF-së për të verifikuar ligjshmërinë e propozimeve për kandidaturat për President.
Komisioni i Verifikimit është organi përgjegjës për organizimin dhe mbikëqyrjen e procesit zgjedhor në përputhje me Rregulloren e Asamblesë së FSHF-së dhe kryerjen e kontrollit të integritetit, i miratuar në Asamblen e Përgjithshme të FSHF-së.
Përveç emrave për President, gjithashtu u kryen verifikimet dhe miratimet për propozimet për anëtar të Komitetit Ekzekutiv në FSHF.
Në përfundim të mbledhjes dhe praktikisht një ditë para afatit përfundimtar për depozitimin e kandidaturave për postin e Presidentit të FSHF-së, rezultuan tre emra kandidat për President dhe 12 për anëtar Komiteti Ekzekutiv.
Në listë për President janë: Armand Duka, që është dhe kreu aktual i FSHF-së, Dritan Shakohoxha, gazetar sportiv, si dhe Sulejman Starova, trajner.
Përsa i përketë anëtarve për Komitet Ekzekutiv, emrat janë: Abdyl Kuriu, Anila Basha, Arben Dervishaj, Bardhyl Jera, Envi Hicka, Ermal Tahiri, Ervin Canollari, Gjergji Petro, Lutfi Nuriu, Pano Xhixho, Vasil Bicaj dhe Ylli Ҫekiҫi. Secili prej emrave të mësipërm ka marrë së paku dy propozime për të qenë në garë.