Zhvillim rrënjësor në politikën e brendshme ukrainase. Presidenti Volodymyr Zelensky, në një vendim tërësisht të beftë, ka shkarkuar nga detyra kreun e Shërbimeve Sekrete ukrainase, Ivan Bakanov, si edhe prokuroren e përgjithshme të Ukrainës, Iryna Venediktova.
Vendimi ka ardhur tërësisht i papritur dhe ende nuk dihet asnjë arsye mbi këtë shkundje të themeleve në politikën ukrainase, gjatë kohës kur vendi ende po përballet me agresionin rus.
Vetë Zelensky nuk e ka komentuar ende këtë vendimmarrje të tijën. Megjithatë, pas humbjes së Kherson-it, lajme të shumta patën qarkulluar se Zelensky kishte ndërmend ta largonte nga detyra Bakanovin.
Zërat e tillë u zbehën disi javë më parë kur vendim nuk pati, por tashmë ai vjen i konfirmuar për largimin shefit të shërbimeve sekrete.
Nga ana tjetër, largimi i Venediktovës vjen tërësisht i papritur dhe i paparalajmëruar.
Venediktova ka qenë ndër zërat më të fuqishëm ndërkombëtarisht për kauzën e Ukrainës, duke dhenë edhe kontribut të ndjeshëm karshi zbulimit të krimeve të luftës që Moska ka ndërmarrë në Ukrainë.
Së bashku me organizata të mëdha ndërkombëtare, kryeprokurorja ka arritur të regjistrojë rreth 200-300 krime lufte çdo ditë në atë çfarë Rusia ka lënë pas në disa prej qyteteve më të mëdha ukrainase, përfshi rrethinat e Kievit.
Gjithsesi, ajo nuk i ka shpëtuar dot akuzave
Emrat zëvendësues ende nuk janë mësuar ende, pasi vendimi është i minutave të fundit.
Lufta në Ukrainë vijon tashmë prej muajsh, me fillim më 24 shkurt 2022.
Aksioni thelbësor rus është zhvendosur në lindje, në rajonin e Donbassit, ku Luhansku është i marrë i gjithi, teksa një pjesë e vogël e Donetsk-ut mbetet nën kontrollin ukrainas.