Udhëheqësi kinez Xi Jinping paralajmëroi homologun amerikan Joe Biden për Tajvanin duke i thënë që të mos “luajë me zjarrin”.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”, duke cituar median shtetërore kineze.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe Xi Jinping zhvilluan për më shumë se dy orë telefonatën e pestë gjatë udhëheqjes së tyre.
Telefonata erdhi pasi shqetësimet u rritën për një vizitë të mundshme në ishullin e pretenduar nga Kina të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, Nancy Pelosi.
Media shtetërore kineze shtoi se Xi i tha Biden-it se Shtetet e Bashkuara duhet t’i binden “parimit të një Kine” dhe theksoi se Kina kundërshtoi me vendosmëri pavarësinë e Tajvanit dhe ndërhyrjen e forcave të jashtme.
Pekini ka lëshuar paralajmërime të përshkallëzuara për pasojat nëse Pelosi – një demokrate si Biden – viziton Tajvanin.
Sipas tyre, ky veprim do të ishte një shfaqje dramatike, edhe pse jo e pashembullt, e mbështetjes së SHBA-ve për ishullin.
“Ata që luajnë me zjarrin vetëm do të digjen”, citojnë mediat shtetërore kineze t’i ketë thënë Xi-Bidenit. “Ne shpresojmë që pala amerikane ta ketë këtë të qartë”.
Washingtoni nuk ka marrëdhënie zyrtare me Tajvan-in dhe ndjek një “politikë të një Kine” që njeh Pekin-in, jo Taipein, diplomatikisht.
Por është e detyruar nga ligji amerikan që t’i sigurojë ishullit mjetet për të mbrojtur veten dhe presioni është rritur në Kongres për mbështetje më të qartë.