Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Xhihadi, krimi dhe pasioni për armë

Lionel Dumont, në moshën 51-vjeçare, sot gjendet i lirë.

Burimet franceze thonë që është i lirë prej datës 17 nëntor, pak muaj përpara fundit të dënimit me 25 vite burg.

Dumont mbaronte dënimin e tij në qershor 2022. Megjithatë, ai do të duhet të mbajë një byzylyk elektronik dhe do të monitorohet nga shërbimet e sigurisë në rajonin e Dunkirk-it në Francë.

Lionel Dumont i lindur në një familje modeste katolike, në rininë e tij, menjëherë pas gjimnazit u regjistrua në fakultetin e historisë dhe ëndërronte të bëhej gazetar.

Por jeta e tij nuk do të shkonte ashtu siç kishte menduar gjatë adoleshencës. Në fillim të viteve 90′ pasi vajti në ushtri, u nis për të marrë pjesë në një mision të OKB-së në Somali.

Atje, përballë urisë së popullsisë, luftës dhe vdekjes diçka ndodhi. Në kthimin e tij në Francë, Dumont do të merrte një rrugë të re në drejtim të qarqeve ekstremiste.

Në vitin 1994, në mes të luftës ballkanike, njihet me Christophe Caze, një ish-student i mjekësisë, karizmatik, i konvertuar në islamin radikal.

Njihej nga të gjithë si “doktori” me emrin Walid.

Dumont do të konvertohej edhe ai. Dhe bashkë me francezë të tjerë, iu bashkuan muxhahedinëve në Bosnje, duke u regjistruar në brigadën e shtatë të ushtrisë.

Në vitin 1995 pasi lufta përfundoi për një pjesë të mirë të xhihadistëve, rikthimi në një jetë të zakonshme qe pothuaj i pamundur.

Në Francë, disa prej tyre do të bashkoheshin me Caze-n, duke themeluar kështu një bandë hajdutësh dhe terroristësh.

Banda do të quhej “Banda Roubaix” dhe përgjatë 1996 do të kryente një seri grabitjesh të përgjakshme.

Anëtarët e saj ishin të gjithë francezë të konvertuar në Islam.

Qëllimi i krijimit të këtij grupi ishte kryerja e grabitjeve në metropolin e Lille-s, me qëllim financimin e kauzës islamike dhe xhihadit. E gjithë Franca do e kujtonte me tmerr atë periudhë.

Ata përdorën mitralozë dhe granatahedhës, bënin grabitje, mësynin furgona të blinduara. Krimi ordiner dhe politika gërshetoheshin, në shërbim të misionit dhe në kërkim të formave për vetëfinancim.

Metoda të para në vitet 70′ dhe 80′ tek ekstremistët e majtë në Itali dhe Greqi.

Grupi arriti deri në tentativën e sulmit me makinë bombë kundër stacionit të policisë në Lille më 28 mars 1996.

Ky sulm i dështuar, i cili nuk pati asnjë viktimë dhe vetëm pak dëme materiale, shënoi dimensionin terrorist të veprimtarisë së bandës.

Më 29 mars 1996, policia arriti të lokalizojë grupin në “Rue Carette” nr 59, ndërsa kërkonin të hidhnin në erë një makinë pak përpara një takimi të G7-ës.

Pas një lufte mes policisë dhe pjesëtarëve të bandës, katër persona vdiqën nga një shpërthim, ndërsa Caze u vra duke ikur në Belgjikë nga policia belge.

Dumont arrin t’i shpëtojë kapjes, dhe u zhvendos në Emilia Romagna të Italisë.

Me ndihmë nga kontaktet e tij përdori dokumente të vjedhura në Napoli dhe arriti të shkojë sërish në Bosnje.

Pas shumë grabitjesh edhe në Bosnje, Dumont do të arrestohet një vit më vonë. I dënuar në Bosnje me njëzet vjet burg, ai u arratis nga burgu i Sarajevës në vitin 1999.

Në vitin 2002 ai ndodhej në Tokio, duke përdorur një identitet të rremë dhe duke shitur makina në zonën e Nigatës.

Në 2003-shin kthehet në Gjermani, ku do të kapet në Mynih dhe do të ekstradohet në Francë për gjykim në 2004.

Në vitin 2005, Gjykata franceze në Douai, e shpalli atë fajtor për tre tentativa vrasjeje kundër oficerëve të policisë dhe e dënoi me 30 vjet burgim, shoqëruar me një periudhë sigurie prej 20 vjetësh.

Vendim ky që Dumont do ta apelonte.

Në vitin 2007, ai u dënua me 25 vjet burgim nga Gjykata e Apelit të Parisit, shoqëruar me një periudhë sigurie prej dy të tretave të dënimit, pra 16 vjet e 18 muaj.

Gjatë viteve në burg duket që Dumont ka gjetur paqe.

Kështu mbyllet një faqe e historisë së terrorizmit ku xhihadi, krimi dhe pasioni për armët gjejnë sintezën e tyre

LAJME TË TJERA >>