Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, këtë të martë ka njoftuar se ka realizuar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku tema kryesore e diskutuar mes saj dhe Kurtit ka qenë situata e përshkallëzuar në Veri të Kosovës.
Ajo ndër të tjera, përmes një postimi në rrjetin e saj social në Twitter, ka bërë të ditur se në bisedë e sipër ka theksuar nevojën urgjente për de-eskalim të situatës në Veri dhe kthim në tryezën e dialogu.
Gjatë ditës, Von der Leyen, ka njoftuar se do të realizojë një bisedë telefonike edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Ndryshe një ditë më parë kryeministri Kurti realizoi një bisedë telefonik edhe me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Blinken, njëjtë si Von der Leyen, kërkoi nga Kurti, de-përshkallëzim në Veri dhe zbatim të planit 3-pikësh të Bashkimit Evropian.
“Sot fola me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për të nxitur de-përshkallëzimin në veri të Kosovës dhe një kthim të menjëhershëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Plani me tre pika i BE-së është rruga përpara”, ka shkruar ai në Twitter.