Protestat kundër vendimit të Gjykatës Supreme amerikane që rrëzoi të drejtat e abortit janë mbajtur në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë fundjavës.
Mijëra njerëz në New York u mblodhën për të shprehur zemëratën e tyre ndaj vendimit që erdhi në fund të një jave marramendëse, jo vetëm për të drejtën e abortit, por edhe për ligjet e armëve dhe sulmin në Capitol.
Në Providence, Rhode Island, tensioni u ndez aq shumë sa një oficer policie jashtë detyrës u akuzua se goditi një grua në një protestë për abortin.
Jennifer Rourke, kandidate për senatin shtetëror, ka treguar se u godit me grusht në fytyrë nga Jeann Lugo. Sakaq, ai nuk e mohoi akuzën e saj, por shtoi se “gjithçka ndodhi shumë shpejt”.
Kurse në pjesën më të madhe, protestat në të gjithë SHBA-të kanë qenë paqësore.
Në New York, fundjava kishte edhe marshime të komunitetit LGBTQ, me mijëra njerëz që u mblodhën në qendër të qytetit për të festuar dhe njëherazi për t’i dhënë zë zemërimit.
“Është një ndjenjë e ngjashme me atë kur Trump u zgjodh”, ka pohuar Oriana Soddu.
Zemërimi, sipas Soddu, është ndaj vetë sistemit politik.
“Republikanët kanë qartazi një agjendë shumë të fortë dhe ne e kemi lënë këtë të ndodhë. Frika ime është se ata do t’i shkojnë pas martesës së homoseksualëve më pas”, ka thënë ajo.
“Është ndryshe të kuptosh se në sytë e kushtetutës dhe gjykatës nuk je me të vërtetë një person dhe nuk ke autonomi mbi veten”, ka theksuar aktivistja amerikane Leslie Cagan.
Sipas saj, shumë gjëra të mira kanë ardhur për pothuajse çdo komunitet që ka luftuar për një pjesë të vogël të të drejtave. Kurse tani gjithçka mund të shembet.
“Shpresoj që ata njerëz dhe ato komunitete të kenë filluar të kuptojnë se, nëse ne nuk punojmë së bashku dhe nuk shkojmë përtej retorikës së solidaritetit në të cilën secili bën punën e vet, asnjë nga njerëzit tanë nuk do të fitojë”, ka shtuar Cagan.
Referuar një sondazhi, shumica e njerëzve atje nuk e miratojnë përmbysjen e të drejtave mbarëkombëtare të abortit të vendosura nga vendimi historik “Roe vs. Wade”, duke përfshirë dy të tretat e grave.
Me më shumë se një diferencë prej 20 pikësh, amerikanët e quajnë atë një hap prapa për SHBA-ë.
Të rinjtë kanë veçanërisht gjasa të mos miratojnë; shumica e të moderuarve nuk e miratojnë së bashku me nëntë në 10 liberalë, dy të tretat e amerikanëve hispanikë nuk e miratojnë, tre të katërtat e amerikanëve me ngjyrë dhe pak më shumë se gjysma e amerikanëve të bardhë nuk e miratojnë.
Ndërsa tre të katërtat e konservatorëve që e mbështesin vendimin kanë thënë se ndihen të lumtur.
Çfarë është Roe v Wade?
Vendimi i gjykatës në vitin 1973 u bazua në vendimin që, e drejta e një gruaje për të ndërprerë shtatzëninë vinte nën lirinë e zgjedhjes personale në çështjet familjare, siç mbrohet nga Amendamenti i 14-të i Kushtetutës së SHBA-ve.
Vendimi erdhi pasi një grua beqare 25-vjeçare, Norma McCorvey – me pseudonimin “Jane Roe” – sfidoi ligjet penale të abortit në Texas që e ndalonin abortin si jokushtetues, përveç në rastet kur jeta e nënës ishte në rrezik.
Henry Wade ishte prokurori i përgjithshëm i Texas-it që mbrojti ligjin kundër abortit.
Zonja McCorvey e ngriti rastin për herë të parë në vitin 1969. Ajo ishte shtatzënë me fëmijën e saj të tretë dhe pretendoi se ishte përdhunuar. Por çështja u refuzua dhe ajo u detyrua të lindte.
Megjithatë, në vitin 1973, ankesa e saj u dërgua në Gjykatën e Lartë të SHBA-ve, ku ajo u përfaqësua nga Sarah Weddington dhe Linda Coffee, një ish-shoqe klase e Weddington-it nga Universiteti i Texas-it.
Kur Weddington argumentoi çështjen para Gjykatës së Lartë, ajo ishte vetëm 26 vjeç.
Si i ndryshoi çështja të drejtat e grave?
Rasti krijoi sistemin “tremujor” që u jep grave amerikane të drejtën absolute për abort në tre muajt e parë të shtatzënisë.
Po ashtu, lejon disa rregullime nga qeveria në tremujorin e dytë të shtatzënisë. Si dhe deklaron se shtetet mund të kufizojnë ose ndalojnë abortet në tremujorin e fundit, pasi fetusi i afrohet pikës ku mund të jetojë jashtë mitrës.
“Roe v Wade” konstatoi gjithashtu se në tremujorin e fundit një grua mund të bëjë një abort, pavarësisht çdo ndalimi ligjor vetëm nëse mjekët vërtetojnë se është e nevojshme për të shpëtuar jetën ose shëndetin e saj.
Marrë nga “The Guardian”