Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Video/ Broja shpik një gol magjik, fitore e madhe e Shqipërisë në Budapest

Pësëri ai, Armando Broja. Sulmuesi kuqezi ekzekuton Hungarinë edhe në Budapest, duke i dhënë një fitore shumë të rëndësishme Shqipërisë. Fitore plotësisht e merituar për Kombëtaren, që e ka dominuar ndeshjen. Kuqezinjtë ngjiten në kuotën e 15 pikëve dhe ruajnë vendin e dytë në Grupin I, duke ndezur edhe më shumë ëndrrën për “play-off”-in e Botëroit.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte e ekuilibruar përgjithësisht, Shqipëria pati dy mundësi të mira me anë të kundërsulmeve. Në të parin Bare u tregua egoist dhe nuk pasoi për Uzunin e Cikalleshin në krahë, por gjuajti vetë dhe u bllokua nga mbrojtja hungareze. Në të dytin Uzuni doli i vetëm përballë portierit, edhe ai u tregua egoist dhe gaboi në gjuajtje, por më pas pati një sinjalizim për pozicion jashtë loje, që e shpëtoi beratasin.

Në minutën e 30-të Reja humbi Gjimshitin për dëmtim, pas një përplasjeje në zonë me Berishën dhe Ismajlin. Në fushë u fut Veseli dhe asgjë nuk ndryshoi në rreshtimin e kuqezinjve. Me fillimin e pjesës së dytë, Bajrami merr vendin e Çekiçit të ndëshkuar me të verdhë. Sapo nis kjo pjesë, porta e Berishës shpëton për mrekulli, teksa topi kalon ngjitur me shtyllën e Berishës.

Bajrami jep një pasim të artë për Uzunin, që del përballë portierit dhe këtë herë është në pozicion të rregullt, por bën të njëjtin gabim edhe në minutën e 58-të. E pafalshme për sulmuesin kuqezi, gjuajtja e të cilit devijohet nga portieri Gulashi. Pas ekzekutimit të goditjes nga këndi, Tarashi gjuan bukur, por pak centimetra mbi tra.

Uzuni shpërdoron edhe një rast tjetër shumë të mirë, duke gjuajtur lehtë me kokë brenda zonës, i pamarkuar nga mbrojtësit e Hungarisë. Dhe trajneri Reja nuk pret më shumë, por e ndërron me Brojën, ndërsa Manaj merr vendin e Cikalleshit. Kuqezinjtë luajnë mjaft mirë dhe sulmojnë më shumë se vendësit. Gjasula mbyll një aksion me një gjuajtje nga jashtë zonës, por nuk ka saktësi.

Çerek ore para fundit shtylla shpëton Berishën nga goli në zhvillimet e një goditjeje dënimi, ku mbojtja jonë u tregua e pakujdesshme. Minuta e 80-të është fatlume për Shqipërinë, që kalon në avantazh me një “shpikje” të Brojës. Sulmuesi ynë bën gjithçka vetë, lirohet nga kundërshtari, hyn në zonë dhe në një pozicion diagonal gjuan saktë.


Më pas kuqezinjtë mbrohen mirë, në fushë edhe Balliu në vend të Trashit. Broja dhe Bajrami mundohen ta mbajnë skuadrën përpara. As 5 minutash shtesë nuk u bëjnë punë hungarezëve dhe në fund kuqezinjtë i gëzohen një fitoreje me peshë në këtë transfertë.

Hungari-Shqipëri 0-1
Hungaria: Gulashi, Orban, Botka, At.Szalai, Nego, A.Nagi, Shafer, Nagi, Sallai, Szobozlai, Salloi (Shon 59’). Trajner: M.Rosi
Shqipëria (3-5-2): Berisha, Hysaj, Ismajli, Kumbulla, Gjimshiti (Veseli 30’), Trashi, Gjasula, Çekiçi (Bajrami 46’), Bare, Uzuni (Broja 66’), Cikalleshi (Manaj 66’). Trajner: E.Reja
Arbitër: Del Çerro Grande (Spanjë)
Shënues: Broja 80’

LAJME TË TJERA >>