Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Vetmia e një prej burrneshave të fundit të Shqipërisë

Për dekada, Gjystina Grishaj është kujdesur për të gjitha punët si burri i shtëpisë në një luginë të largët të Shqipërisë, vetëm për ta gjetur veten të vetme pas shumë vitesh sakrificash për familjen e saj.

Grishaj është ndër të fundit nga të ashtuquajturat “virgjëresha të betuara” të Shqipërisë, një traditë e lashtë ku gratë heqin dorë nga jeta bashkëshortore dhe prindërimi në këmbim të të drejtës për të jetuar dhe punuar si burrë në shoqërinë patriarkale.

Zgjedhja, e bërë mbi 30 vjet më parë, ishte e thjeshtë. Me babain e saj të sëmurë dhe vëllain e madh të vdekur, ajo përqafoi identitetin “burrneshë”, që e lejoi të mbronte familjen e saj.

Por tani në moshën 58-vjeçare, Grishaj është vetëm pasi të afërmit e saj, si qindra mijëra shqiptarë të tjerë, emigruan në kërkim të një jete më të mirë, duke e lënë atë në shtëpinë e tyre.

“Pas gjithë sakrificave që kam bërë për familjen time, është vetmia që më rëndon”, tha Grishaj për AFP.

“Në këtë shtëpi kemi jetuar gjithmonë shumë njerëz por tani ka vetëm heshtje dhe kjo më pikëllon”, thotë ajo.

Grishaj lindi gjatë viteve të vështira të sundimit komunist dhe për të ndihmuar sadopak familjen e saj, ajo u përpoq të siguronte jetesën në Lepushë, ku dimrat janë të ashpër dhe traditat shekullore vazhdojnë akoma.

Me gjashtë persona për të ushqyer, Grishaj vendosi të bënte sakrificën e fundit.

“Vendosa të punoj si burrë për të ndihmuar në arsimimin e vëllezërve dhe motrave dhe mjekimin e babait tim”, thotë Grishaj.

Nëna e saj nuk ishte e lumtur me vendimin e saj duke insistuar shumë herë që ajo të martohej por kur njerëzit shkonin për t’i kërkuar dorën, ajo fshihej.

Me kalimin e viteve, Grishaj mori rolin e burrit të shtëpisë, duke u bërë shtylla kryesore, sic e quan ajo.

Por jeta si burrneshë erdhi me avantazhet e saj.

Të qenit një burrneshë i mundësoi asaj të shpëtonte nga ‘martesat e rregulluara’ pa turpëruar familjen e saj.

Ajo mbante flokët të shkurtra dhe pantallonat të gjata dhe mund të pinte raki në kafene me burrat. Gjithashtu fjala e saj dëgjohej në vendimet kryesore të familjes.

Në fshat, ku jetojnë vetëm rreth 20 njerëz gjatë gjithë vitit, ajo u bë e njohur me pseudonimin ‘Duni’.

“Zgjedhja e saj për të braktisur ‘gruan’ për një jetë me punë të palodhur ka fituar respektin e saj në sytë e komunitetit”, thotë Paulin Nilaj, pronari i një bujtine aty pranë në Lepushë.

“Ajo ka adoptuar zakonet e meshkujve për të pasur një status të veçantë. Unë e kam njohur gjithmonë kështu, kështu që nëse një ditë do të martohej, atëherë do të habitesha”.

“Të qënit burrneshë ishte një zgjedhje shumë e vlerësuar dhe e nderuar”, thotë antropologia Afërdita Onuzi për AFP.

“Këto gra që vendosën të jenë shtylla e familjes, të ulen në rresht me burrat në detyrat më të vështira, gëzonin respektin e të gjithëve, një zgjedhje e tillë konsiderohet si sakrifica supreme”.

Nuk ka një shifër zyrtare për numrin e burrneshave të mbetura por shumica e ekspertëve thonë se kanë mbetur shumë pak.

“Ndoshta me mua mbyllet kapitulli, askush nuk bëhet më burrneshë. Sepse sot jeta është ndryshe, nuk ka një presion të tillë. Ata që duan të punojnë mund ta bëjnë kudo”, thotë Grishaj.

Në çdo rast, ekspertët pajtohen se zgjedhja ka pak të bëjë me identitetin seksual.

“Marrëdhëniet seksuale as nuk përmendeshin asokohe”, thotë për AFP Elsa Ballauri, një aktiviste e të drejtave të grave.

Fenomeni është “rezultat i rrethanave sociale që detyrojnë dikë të imponohet në një shoqëri burrash”, shtoi Ballauri.

Grishaj shmang çdo nocion se vendimi i saj ishte i lidhur me seksualitetin, duke thënë se “as Zoti nuk duhet të dëgjojë të tilla fjalë”.

E me gjithë fiksimin për disa në Perëndim me përemrat e përshtatshëm për gjininë, Grishaj thotë se “asaj nuk i intereson” se çfarë thuhet për të.

“Nuk ka rëndësi, është jeta ime”, ngre supet ajo.

Dhe kjo jetë është bërë edhe më e vështirë tani që familja e saj është shpërngulur jashtë vendit.

Pas një jete e mësuar me punë jashtë shtëpisë, Grishaj është detyruar të mësojë punët e shtëpisë që prej kohësh i shmangej, si gatimi dhe pastrimi.

Për të mbajtur veten, ajo bën ilaçe bimore nga lulet e egra dhe rrënjët e kultivuara në male së bashku me raki frutash që u shet turistëve.

Megjithatë Grishaj nuk pranon t’u kërkojë ndihmë vëllezërve e motrave apo 12 nipërve dhe mbesave.

“Edhe për ta është e vështirë. Janë emigrantë”.

LAJME TË TJERA >>