Kryeministri britanik Boris Johnson ka njoftuar sanksione kundër pesë bankave ruse dhe tre individëve të pasur. Të gjitha pasuritë e tyre në Britaninë e Madhe do të ngrijnë dhe këta individë do të ndalohen të vijnë në vend. Bankat ruse janë gjithashtu në shënjestër të sanksioneve të BE-së
Ndërkohë, Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se shteti i tij do të pezullojë procesin e certifikimit të gazsjellësit kontrovers, Nord Stream 2, pas veprimeve të fundit të Moskës në Ukrainë. Ky projekt synon dërgimin e gazit rus në Gjermani.
Scholz u tha gazetarëve se ka kërkuar të pezullohet procesi i rishikimit të projektit nga një rregullator gjerman. Projekti kap vlerën e 11 miliardë dollarëve.
“Kjo tingëllon teknike, mirëpo është hap i nevojshëm administrativ, ashtu që të mos ketë certifikim të gazsjellësit, dhe pa certifikim Nors Stream 2 nuk mund të funksionalizohet”, tha ai. Ende nuk është bërë e qartë sa do të pezullohet ky proces.
Puna për ndërtimin e gazsjellësit ka përfunduar, por nuk ka nisur ende punën, në pritje të certifikimit.
Uashingtoni është shprehur se ky projekt do t’i shkaktojë dëme ekonomike Ukrainës, duke ia mundësuar Moskës që të bart gazin përreth Ukrainës dhe në këtë mënyrë ky shtet humb miliarda dollarë në tarifa të tranzitit.