Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

“Vdekja e kalit” mes 20 filmave europianë, që do shfaqen në kanalin arte.tv

Filmi shqiptar “Vdekja e kalit” është zgjedhur mes 20 filmave europianë, që do shfaqen në kanalin arte.tv.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se shfaqja e këtij filmi është një ngjarje për kinemanë tonë dhe një nxitje për të ecur më tej në procesin e restaurimit dhe promovimit të filmit shqiptar.

“Një nga filmat më të rëndësishëm shqiptarë për ndërrimin e sistemeve ‘Vdekja e kalit’, prodhimi i vitit 1992, me regji të Saimir Kumbaros, i restauruar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit me bashkëpunimin e Audio-Video-Film, Shai Drori dhe ACE – Association des Cinémathèques Européennes, është përzgjedhur mes 20 filmave evropianë që do të shfaqen falas për publikun, në programin ‘ArteKino Classics’, në kanalin arte.tv, subtitruar në 6 gjuhë, me mbështetjen e Creative Europe”, tha Margariti.

30 vjet pas realizimit të tij, filmi shqiptar “Vdekja e kalit”, me regji nga Saimir Kumbaro, u rishfaq i restauruar në Tiranë, në çelje të “Netëve të Filmit Arkival” në shtator të 2021-shit.

Filmi i restauruar erdhi premierë nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit fillimisht në maj në versionin online, ndërsa në shtator erdhi për publikun artdashës në Parkun Olimpik, ku bëri bashkë aktorë dhe dashamirës të filmave.

Bazuar në një histori të vërtetë, “Vdekja e Kalit”, ka veçantinë e të qenit drama e parë filmike shqiptare e realizuar pas rënies së regjimit komunist.

“Vdekja e kalit zë një vend të veçantë në kinematografinë shqiptare. Është filmi i parë i bërë në vendin tonë pas mbarimit të diktaturës 46-vjeçare”, do të shprehej për Gazetën “Si”, Iris Elezi, ish-drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, kur filmi u shfaq në versionin online në maj të vitit të kaluar.

Filmi është realizuar në vitin 1992 dhe mban firmën regjisoriale të Saimir Kumbaros dhe skenar të Nexhati Tafa.

Në film interpretojnë aktorë të njohur si Timo Flloko, Rajmonda Bulku, Tinka Kurti, etj.

Ministri i Mbrojtjes në atë kohë u ekzekutua së bashku me një gjeneral të rangut të lartë, Petrit Dume.

Personazhi kryesor në filmin “Vdekja e kalit”, trajneri i kuajve Agroni, paralelizon historinë e Petrit Dumes. Sidoqoftë, personazhi i trilluar, Agroni, nuk është një gjeneral, por një trajner ushtarak i kuajve që bën gjithçka që mundet për të shpëtuar kalin e tij të dashur. Por ndërsa përpiqet të shpëtojë kalin e bardhë, Agroni dhe familja e tij kalojnë nëpër një sërë ngjarjesh tragjike.

LAJME TË TJERA >>