Përveç betejës me raketa, avionë, tanke e plumba në botën reale, Ukraina dhe Rusia po zhvillojnë edhe një betejë të ashpër në botën virtuale, ku protagonistët nuk shkaktojnë viktima në njerëz, por mund të vendosin fatet e viktimave dhe të vetë luftës në terren.
Dy vendet po akuzojnë njëra-tjetrën për përhapjen e lajmeve të rreme, fushata keqinformimi dhe fshehje të fataliteteve reale në këtë luftë.
Ukraina akuzon Moskën se po u shërben qytetarëve të vet një realitet tjetër nga sa po ndodh në terren, duke u fshehur dëmet materiale dhe sidomos ato njerëzore në këtë luftë dhe për këtë qëllim thotë se ka vënë në dispozicion të prindërve dhe bashkëshorteve ruse që kanë ushtarë në front tre numra telefoni për të mësuar mbi fatin e tyre.
Rusia po ashtu akuzon Kievin se po fsheh numrat e viktimave dhe të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për krime lufte. Por, ndryshe nga Kievi, Moska ka kufizuar fort qasjen e qytetarëve të saj në rrjetet sociale, sidomos në faqet e përdorura në Twitter, Facebook të përdorura gjithashtu fort nga autoritetet ukrainase.
Nga ana tjetër, në mediat shtetërore dhe ato private të afërta me Putinin dhe regjimin e tij janë shfaqur shpesh pamje që tregojnë se si ushtarët rusë po ‘po priten pa rezistencë nga ushtria dhe populli ukrainas, madje edhe se si vetë ushtarët ukrainas u bashkohen në fushatën për atë që Presidenti rus e ka cilësuar “denazifikim” i Ukrainës.
Pamje të tilla janë cilësuar nga Ukraina si të rreme dhe propagandë e Rusisë. Kievi u bën thirrje ndërkombëtarëve dhe qytetarëve të vet që për çdo informacion të saktë nga lufta t’u referohen burimeve zyrtare të tij dhe mediave ndërkombëtare prestigjoze si BBC, DW, CNN, apo Zëri i Amerikës.
Në krah të Ukrainës në këtë pjesë janë rreshtuar edhe gjigantët e teknologjisë. Facebook, Google dhe Twitter kanë njoftuar masa ndëshkuese dhe kufizime të rrepta shikueshmërie për televizionet, faqet e internetit dhe kanalet në Youtube të mediave dhe faqeve zyrtare ruse.
Google tha se kishte bllokuar monetizimin, pra mundësinë e përfitimit të të ardhurave për tre televizione shtetërore dhe katër media të tjera private ruse, pasi sipas kompanisë amerikane kanë shkelur rregullat e përdorimit të këtij shërbimi përmes përhapjes së lajmeve të rreme në lidhje me luftën në Ukrainë.
Kompania amerikane tha se ky ishte hapi i parë dhe paralajmërues, që u shoqërua gjithashtu edhe me kufizimin e audiencës së tyre, ndërsa nuk përjashtoi as mundësinë e shkëputjes totale nga motori i kërkimit dhe kanalet e Youtube.
Facebook gjithashtu ka kufizuar në minimum audiencën e lajmeve, videove dhe fotove që shpërndajnë mediat ruse, po me shqetësimin se po përhapin lajme të rreme dhe Tëitter ka bllokuar disa faqe e llogari që dyshohen si të sponsorizuara dhe zotëruara drejtpërdrejt nga Kremlini.
I vetmi mjet komunikimi për rusët ka mbetur Telegram, aplikacioni i kontrolluar prej vetë atyre. Përmes këtij aplikacioni, Ukraina ka denoncuar se Rusia po ngre grupe sabotuese për përhapje lajmesh të rreme, paniku dhe deformimi të realitetit në luftë.
Në grupe të tilla në Telegram u bëhet thirrje ukrainasve të Kievit dhe Kharkivit, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës i vendosur në lindje të vendit dhe disa kilometra larg kufirit me Rusinë, që të bëhen pjesë e tyre për të marrë udhëzime.
Grupe të tilla klonojnë stemat dhe logot e autoriteteve ukrainase dhe operojnë në rrjetet sociale ‘me qëllim dhënien e udhëzimeve për popullatën’. Por, Ukraina ka denoncuar se kanalet e vete zyrtare të komunikimit në rrjetet sociale i ka në Facebook dhe Twitter.
“Ka dyshime e kërcënime se të tilla kanale që po krijohen nga sabotuesit synojnë që të kequdhëzojnë qytetarët dhe të ulin vigjilencën e tyre ndaj pushtuesit. Bëni kujdes!”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes ukrainase.
‘Lufta’ kibernetik
Beteja tjetër online është edhe më agresive. Para dhe pas nisjes së ofensivës ruse mbi Ukrainë, faqet zyrtare të autoriteteve ukrainase ose funksiononin me probleme, ose ishin shumicën e kohës jashtë shërbimit.
Për këtë fajësoheshin hakera rusë, sulmet e të cilëve vijojnë ende dhe papushim. Për të balancuar luftën në këtë sektor, të premten Ukraina ftoi të gjithë hakerat që t’i bashkoheshin në luftë kundër Rusisë. Thirrjes iu bashkua grupi ndërkombëtar i hakerave, “Anonymous”, që brenda pak orësh rrëzuan faqet dhe sistemet ruse të internetit.
Ndihmë u kërkua edhe nga Koreja e Jugut për të hakuar dhe siguruar informacione nga serverat e ushtrisë dhe shërbimeve sekrete ruse.