Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Ukraina refuzon korridoret humanitare drejt Rusisë dhe Bjellorusisë. Sot raundi i tretë i bisedimeve

Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës është në ditën e saj të dymbëdhjetë. Ndërsa numri i refugjatëve nga Ukraina në Poloni ka kaluar një milion, Kievi është gjithnjë e më shumë nën rrethim dhe situata në periferi është “katastrofike”. Sipas ushtrisë ukrainase, Moska ka filluar “të grumbullojë burimet e saj për të sulmuar Kievin”.

Kremlini shpalli një armëpushim për të aktivizuar korridoret humanitare, të drejtuara kryesisht drejt Rusisë dhe Bjellorusisë.

Kievi, nga ana e tij, refuzon të drejtojë flukset drejt dy vendeve fqinje. Raundi i tretë i bisedimeve do të zhvillohet sot në orën 12 në pyllin Belovezhskaya Pushcha në Bjellorusi.

Ndërkohë, Putini i bën të ditur Macronit se nëse nuk i arrin qëllimet e tij me negociata, do ta bëjë këtë me luftë. Ukraina përgjigjet: “Gati për të negociuar modele garancie, por jo marrëveshje të mundshme për Krimenë dhe Donbasin”.

Ministria ruse e Mbrojtjes, ka shpallur një armëpushim për hapjen e gjashtë korridoreve humanitare në Ukrainë sipas agjencisë “Interfax”.

“Një armëpushim u shpall në orën 10 të mëngjesit me kohën e Moskës dhe u hapën gjashtë korridore humanitare, duke përfshirë një nga Kievi në Gomel (Bjellorusi), dy nga Mariupol në Zaporizhia (Ukraina juglindore) dhe Rostov në Don (Rusia jugore), një nga Kharkiv në Belgorod (Rusia perëndimore) dhe dy nga Sumy në Belgorod dhe Poltava (Ukraina qendrore)”, – tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov.

Në Mariupol, qyteti-port nën rrethim, pa ujë dhe pa energji, situata po bëhet gjithnjë e më dramatike, ndërsa në Kiev ushtria ruse qëlloi pa mëshirë mbi civilët në arratisje, duke vrarë edhe një nënë me dy fëmijët e saj, siç dëshmohet nga fotot që kanë qarkulluar në internet.

Një familje ukrainase e vrarë në mes të rrugës nga një mortajë e ushtrisë ruse, duke u larguar nga Irpin, pranë Kievit
Dy delegacionet u takuan për herë të fundit në rajonin e Brest-it në Bjellorusinë perëndimore. Gjatë raundit të dytë të bisedimeve, të dyja palët ranë dakord që të krijohen korridore humanitare në qytetet e Mariupol dhe Volnovakha për të lehtësuar evakuimin e civilëve.

Pas përpjekjes së Izraelit për të ndërmjetësuar mes palëve ndërluftuese, dje lideri francez Macron pati një telefonatë shumë të gjatë me Putinin, por presidenti rus nuk dorëzohet: “Unë do të eci përpara”.

Ndërkohë, ditë pas dite, emergjenca humanitare po merr përmasa gjithnjë e më tronditëse: që nga fillimi i luftës një milion e gjysmë ukrainas janë larguar nga vendi duke kërkuar strehim jashtë vendit.

Rusia ka thënë se do të jetë gati të hapë korridoret humanitare në disa qytete të Ukrainës mëngjesin e të hënës për të lejuar evakuimin e civilëve nga zonat.

Lajmi raportohet nga BBC, duke cituar mediat zyrtare ruse dhe duke kujtuar se është njoftimi i tretë këto ditë (dy të parat dështuan).

“Armëpushimi” do të fillonte në orën 10 të mëngjesit me orën e Moskës (08:00 në Europë), sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, me korridore për evakuime nga Kievi, Kharkiv, Mariupol dhe Sumy. Aktualisht nuk ka asnjë konfirmim nga pala ukrainase.

LAJME TË TJERA >>