Në kohën kur bota perëndimore po kërkon alternativa për t’u ballafaquar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, i cili ka filluar pushtimin e Ukrainës, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, po thotë se ai e di ku është problemi kryesor.
“Liderët tanë janë kaq kokëtrashë”, deklaroi Trump, para disa ditësh derisa fliste në Konferencën e Konservatorëve për Aksion Politik në Orlando të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Nëse e pushton Ukrainën, ne do të vëmë sanksione thonë ata. Sanksione? Eh kjo është një deklaratë goxha e dobët”, pohoi Trump.
“Putini po thotë: ‘oh janë duke më vënë sanksione? Po ata me kanë vënë sanksione qe 25 vjet.Unë mund ta pushtoj krejtësisht një vend dhe ata do më sanksionojnë? A nuk do na bëjnë copash, të paktën psiqikisht?’ Problemi nuk është se Putini është i mençur. E që sigurisht është i mençur ai”, deklaroi Trump, duke shtuar frazën ofenduese.
“Por, problemi i vërtet është e liderët tonë janë kokëtrashë, kokëtrashë. Kaq kokëtrashë”
“Ata deri tash e kanë lejuar (Putinin) t’ia hedhë paq me këtë mashtrim dhe këtë sulm kundër njerëzimit. Sepse kjo punë kështu është, është sulm kundër njerëzimit. Është kaq e dhimbshme”, shtoi Trump, derisa u ndërpre nga brohoritma dhe duartrokitjet e pjesëmarrësve në sallë.
Në ndërkohë, as kritikat e Trump-it dhe as sanksionet e liderëve që ai i quan “kokëtrash”, nuk e kanë bërë Putinin të zmbrapset.
Tash kur lufta është futur thellë në javën e dytë, avancimi i trupave ruse për në qytetet e Ukrainës vazhdon.
Forcat ruse kanë vazhduar granatimin e qytetit ukrainas, Mariupol, përkundër se një herë u pajtuan për armëpushim – duke e shndërruar kështu evakuimin e civilëve në një kaos të vërtetë.
Vetëm disa orë pasi ishte arritur pajtim për armëpushim, autoritetet lokale në Mariupol kanë njoftuar se kanë shtyrë evakuimin për shkak të vazhdimit të bombardimeve.
Derisa, Putin ka paralajmëruar se çdo tentim për të imponuar zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë do ta sheh si pjesëmarrje e atij shteti në konfliktin e armatosur në Ukrainë.
Në këtë hartë, shënuar me të kuqe, mund të shihni avancimin e forcave ruse në Ukrainë.