Dy kombëtaret finaliste të Katar 2022 janë ndeshur më parë në Kupën e Botës në 1930-ën, 1978-ën dhe 2018-ën. Dy fitore për argjentinasit dhe një për francezët.
Edhe pse Argjentina dhe Franca janë dy superfuqi të futbollit planetar, nuk janë ndeshur kurrë më parë në një finale. Precedentët mes këtyre dy skuadrave në Botërorë janë vetëm tre. Dy ndeshje i përkasin fazës në grupe dhe një fazës me eliminim direkt.
Bilanci është në favor të kombëtares bardhekaltër, që ka fituar në dy raste, por u ka dhënë ‘gjelave’ kënaqësinë e kualifikimit në fazën e 1/8-ve të Rusi 2018.
Përplasja e parë mes Francës dhe Argjentinës ka ndodhur që në Botërorin e parë në histori, atë të 1930-ës, të organizuar dhe fituar nga Uruguaji. Argjentina fitoi ndaj Francës falë një goli të Luisito Monti, një mesfushor me një potencial të jashtëzakonshëm fizik.
Më pas duhej të kalonin 48 vjet për të parë përballë njëra-tjetrës Francën dhe Argjentinën. Këtë herë në Buenos Aires, në legjendarin ‘Monumental’, në Botërorin e organizuar nga Argjentina.
Në fund të një ndeshjeje spektakolare, të zotët e shtëpisë fituan me një penallti të shënuar nga Pasarela dhe një gol të Luke. Platini, shumë i ri në atë kohë, barazoi përkohësisht rezultatin.
Precedenti i fundit i takon Botërorit të Rusisë 4 vjet më parë. Argjentina dhe Franca u ndeshën në 1/8-at e kompeticionit. Edhe këtë herë sfida ishte spektakolare. Blutë fituan 4-3, fillimisht shënoi Franca me Grizman me penallti, pastaj përmbysja nga Di Maria e Merkado. Pavard dhe dopieta e Mbape solli përmbysjen tjetër, ndërsa goli i Aguero në shtesë pati vetëm vlera statistikore.