Luiz Inacio Lula da Silva do të jetë presidenti i ri i Brazilit për të tretën herë.
Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga autoriteti zgjedhor i vendit.
Me këtë fitore, Lula hyri në histori si presidenti i parë i Brazilit që zgjidhet tre herë me votim popullor.
Kandidati i “Partisë së Punëtorëve” kishte shërbyer dy mandate si president nga viti 2003 deri në vitin 2010 dhe u largua nga detyra më 1 janar të vitit 2011.
Ai triumfoi ndaj presidentit aktual Jair Bolsonaro në numërimin e votave për balotazhin e së dielës.
Me 99 për qind të votave të numëruara, kandidati i majtë regjistroi 50.9 për qind të tyre.
Bolsonaro mbeti në 49.1 për qind dhe është presidenti i parë në historinë braziliane që humbet një fushatë rizgjedhjeje.
Kanë kaluar 20 vjet qëkurse Lula fitoi për herë të parë presidencën dhe rikthehet me një rekord të ri.
Ai përmirësoi ndjeshëm rezultatin e vitit 2006 gjatë së cilës mori 58.2 milionë vota, duke e çuar në 60 milionë vota.
Kush është Lula
Një ish-punëtor metali dhe lider sindikate, ai u bë një fytyrë e njohur gjatë grevave të viteve 1970.
Kohë kur punëtorët kërkuan paga më të larta, duke sfiduar sundimtarët ushtarakë të Brazilit.
Ai erdhi në pushtet duke premtuar ndryshime.
I ndihmuar nga çmimet e larta të mallrave, ai shpenzoi të ardhurat e papritura në fusha të tilla si arsimi i lartë dhe programet e mirëqenies që kontribuan në nxjerrjen e miliona brazilianëve nga varfëria.
I përshkruar nga ish-presidenti amerikan Barack Obama si “politikani më popullor në botë”, Lula u largua nga posti pas tetë vjetësh në pushtet me një vlerësim prej më shumë se 80 për qind.
Mund të pëlqehej ose mund të urrehej, por ai ishte një politikan që nuk ngjante me asnjë tjetër.
Por vitet e fundit, kjo trashëgimi është njollosur me partinë e tij të goditur nga skandalet e korrupsionit.
Në vitin 2017, ai u dënua me nëntë vjet burg. Dënimet e tij u shfuqizuan katër vjet më vonë, por ashpërsia e tij me ligjin do të thotë se ai nuk shihej më thjesht si “shpëtimtari” i Brazilit.
Trazirat
Procesi i votimit nuk kaloi pa trazira.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Federale të Autostradave (PRF), Silvinei Vasques, mbërriti në ndërtesën e Gjykatës së Lartë Zgjedhore (TSE) të dielën pasdite për të dhënë sqarime mbi operacionet e policisë në lidhje me transportin publik të votuesve.
Aksioni i kryer sot nga Policia në rrugët braziliane kanë vështirësuar transportin e votuesve.
Sipas mediave në Brazil, aksioni është planifikuar që në natën e 19 tetorit. Atë të mërkurë, bërthama e fortë së presidentit, Jair Bolsonaro, u takua për ta diskutuar.
Edhe pas raportimeve, Policia vijoi rritjen numrin e kontrolleve rutinë për mjetet duke e tejkaluar atë.
Në asnjë ditë normale nuk ka pasur kaq shumë operacione të zhvilluara si sot.
Në media sociale raportohet se të gjitha këto “incidente” kanë ndodhur në zona ku kandidati tjetër, Luiz Lula da Silva ka më shumë mbështetje.