Autokolona e ish-kryeministrit pakistanez Imran Khan është përballur me të shtëna në lindje të vendit të enjten, thanë disa kanale lokale të lajmeve.
“Sky News” në Mbretërinë e Bashkuar raportoi se Khan ishte qëlluar në këmbë dhe se mbështetësit e tij e quanin atë një tentativë për vrasje.
Khan po udhëheq një marshim proteste në Islamabad për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.
Identiteti i personit të armatosur, i cili u arrestua nga policia në vendngjarje, nuk është bërë i ditur. Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Pamjet në mediat lokale treguan Khan me një këmbë të fashuar duke lëvizur nga kontejneri i tij në një automjet me ndihmën e ekipit të tij të sigurisë.
Dy javë më parë, ish-kryeministri u skualifikua nga kandidimi për poste politike për pesë vjet.
Komisioni Zgjedhor i Pakistanit e mori këtë vendim pasi u zbulua se ai mashtronte zyrtarët për dhuratat që kishte marrë nga udhëheqës të huaj gjatë kohës që ishte në pushtet.
Imran Khan-i akuzohet për përfshirje në praktika korruptive.
Ankesa në komisionin zgjedhor u paraqit për herë të parë kur ish-Kryeministri, ishte ende në detyrë nga Lëvizja Demokratike e Pakistanit, një koalicion anëtarët e të cilit tani përbëjnë qeverinë.
Në atë kohë, ai tha se nuk kishte bërë publike disa dhurata për arsye të sigurisë kombëtare, por në një dorëzim me shkrim pranoi se kishte blerë sende me vlerë rreth 22 milionë rupi, dhe më vonë i shiste ato për më shumë se dyfishin e kësaj shume.
Mbështetës të tij u mblodhën të premten në disa qytete të vendit, përfshirë Islamabadin, për të protestuar kundër vendimit.
Gjatë protestës pati përleshje me policinë, spitalet u vunë në gatishmëri të lartë dhe siguria u shtua me forca paraushtarake të vendosura në kryeqytet.
Ndërkohë, partitë politike nga Qeveria festuan vendimin duke shpërndarë ëmbëlsira në disa qytete.
Khan-i mban rregullisht mitingje duke tërhequr dhjetëra mijëra qytetarë në të gjithë vendin me fjalimet e tij me fokus kritikat ndaj institucioneve shtetërore, përfshirë ushtrinë.
70-vjeçari është përpjekur të destabilizojë procesin politik të Pakistanit që kur u rrëzua në prill, kur ai urdhëroi të gjithë deputetët e tij të heqin dorë nga vendet e tyre, duke mos lënë asnjë anëtar të PTI-së në asamblenë kombëtare.
Khan erdhi në pushtet në vitin 2018 me një platformë populiste, që premtonte reforma sociale, konservatorizëm fetar dhe luftë kundër korrupsionit, duke përmbysur dekada të sundimit nga dy dinastitë politike.
Por gjatë mandatit të tij ekonomia ngeci dhe ai humbi mbështetjen e ushtrisë, e cila më vonë u akuzua se e ndihmoi atë për të ardhur në pushtet.