Irani do të mirëpresë në kryeqytetin e saj një samit trepalësh me udhëheqësit e Rusisë dhe Turqisë.
Lajmi u bë i ditur nga korrespondenti i Al Jazeera-s, Ali Hashem.
“Një burim diplomatik sapo më ka konfirmuar se Putin, Erdogan dhe Raisi do të kenë një samit trepalësh në Teheran javën e ardhshme”, u shpreh fillimisht gazetari.
Vizita e Putin-it në Iran gjatë javës së ardhshme, u konfirmua edhe nga agjencitë vendase, duke cituar kryetarin e komisionit ekonomik, Mohammadreza Pourabrahimi.
Pourabrahimi e zbuloi këtë gjatë udhëtimit të tij në Rusi me guvernatorin e Bankës Qendrore të Iran-it.
Zyrtari iranian shtoi se planifikimi për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik midis Iran-it dhe Rusisë do të jetë prioritet i konsultimeve midis presidentëve të dy vendeve.
Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe homologu i tij rus Vladimir Putin u takuan në kryeqytetin e Turkmenistanit, Ashgabat.
Kjo, në margjinat e samitit të gjashtë të krerëve të shteteve bregdetare të Detit Kaspik.
Pourebrahimi nënvizoi se serioziteti i rusëve në fushën e bashkëpunimit ekonomik me Iran-in është më i lartë se në të kaluarën.
Kryetari i Komisionit Ekonomik të Kuvendit deklaroi se pas vizitës së fundit të presidentit në Rusi është krijuar një atmosferë pozitive për bashkëpunimin ekonomik me Iran-in.