Një pasdite vjeshte të vitit 1983, pediatri Jorge Meijide u thirr në një apartament në qytetin e vogël të Acassuso-s, në periferi të Buenos Aires.
Pacienti i tij gjashtëvjeçar kishte grip të lehtë, por Meijide ndjeu se diçka tjetër nuk shkonte në familje.
Gruaja që pretendonte se ishte nëna e fëmijës iu duk shumë e vjetër. Në mure ishin varur fotot e një burri me uniformë ushtarake, me sa duket babai i djalit.
Në Argjentinën e viteve 1980, të dyja detajet ishin më se të dyshimta.
Vendi po kthehej ngadalë në demokraci pas luftës të zhvilluar nga diktatura ushtarake nën Jorge Videla.
Pas grushtit të shtetit të vitit 1976, ushtria e Argjentinës filloi të shtypte çdo opozitë të mundshme dhe 30 mijë njerëz u vranë ose u zhdukën, thuajse të gjithë civilë.
Të burgosurat shtatzëna u mbajtën në jetë derisa lindën dhe më pas u vranë. Të paktën 500 të porsalindur u morën nga prindërit e tyre teksa ishin në robëri dhe iu dhanë çifteve ushtarake për t’i rritur si të tyret.
Deri në vitin 1983, qindra nga këto “birësime” po dilnin në dritë. Por vetëm në vitin 2021 u bënë përpjekje në shkallë të gjerë për të gjurmuar fëmijët.
Dy vjet më parë, qeveria argjentinase dërgoi qindra komplete testimi të ADN-së në konsullatat e saj në mbarë botën në një përpjekje për t’u vënë emra viktimave të paidentifikuara dhe për të gjetur fëmijët e të zhdukurve, shumë prej të cilëve jetojnë sot pa dijeni për identitetin e tyre të vërtetë.
Meijide rrëfeu atë që kishte parë te Abuelas de Playa de Mayo, një organizatë e të drejtave me mision për të gjetur fëmijët që ishin birësuar ilegalisht asokohe.
Doktori nuk kishte foto të fëmijës, por, si një artist i talentuar amator, ai ishte në gjendje të vizatonte një shëmbëlltyrë.
Kjo iu tregua të afërmve të njerëzve që ishin zhdukur. Një grua nga Mar del Plata, djali i së cilës ishte rrëmbyer në vitin 1977, mendoi se fëmija i ngjante familjes së saj.
Kaq ka mjaftuar për të shkaktuar një ankesë tek autoritetet, të cilët i kërkuan djalit t’i nënshtrohej testit të ADN-së.
Ushtarakut, fotografia e të cilit ishte varur në mur, Jorge Vildoza, një oficer i lartë i marinës argjentinase, iu kërkua të paraqitej në gjykatë.
Në panik, ai u largua nga vendi duke marrë me vete edhe fëmijën.
Tani, ai djalë i vogël është një bankier 45-vjeçar që jeton në Londër. Quhet Javier Penino Viñas dhe prindërit e tij biologjikë, Cecilia Viñas dhe Hugo Penino, u rrëmbyen në vitin 1977.
I adoptuar ilegalisht nga Vildoza dhe gruaja e tij, Ana María Grimaldos, ishte me të vërtetë nipi i gruas që mendonte se i njihte tiparet e tij.
Dhe është i vetmi fëmijë i njohur i një të tillë rasti që jeton në Mbretërinë e Bashkuar.
“Pas regjimit të Videla-s, padyshim që pati një tranzicion demokratik dhe në atë periudhë filluan gjyqet kundër ushtrisë”, ka treguar Javier.
“Babai im adoptues ishte mjaft i lartë në marinë dhe familja e dinte se tranzicioni në demokraci kishte filluar të shkaktonte probleme për këdo në ushtri. Kjo ishte kur u transferuam në Paraguaj dhe përfunduam duke ndryshuar identitetin”, ka vijuar ai.
Në vitin 1983, në orën 05:30 e mëngjesit të 21 dhjetorit, familja Viñas mori një telefonatë nga vajza e tyre Cecilia, nëna biologjike e Javier.
Ajo po mbahej në një kamp të paligjshëm paraburgimi, por nuk e dinte se ku. Ajo arriti të telefonojë edhe pesë herë familjen e saj, gjithmonë me të njëjtën kërkesë të zjarrtë: “Gjeni djalin”.
Cecilia lindi më 7 qershor 1947 në Mar del Plata. Ajo dhe burri i saj Hugo ishin aktive në grupe sindikatash që kundërshtonin regjimin ushtarak të ekstremit të djathtë të Videla-s.
Më 13 korrik 1977, çifti u rrëmbye nga shtëpia e tyre në Buenos Aires. Cecilia ishte shtatzënë në muajin e shtatë. Gratë e ndaluara në të njëjtin ambient me të do të dëshmonin më vonë se foshnja lindi në krahët e Vildoza-s.
Thirrja e fundit e Cecilia-s për familjen ishte në mars 1984. Referuar disa dëshmitarëve, ajo u vra në kamp.
Gjatë tranzicionit demokratik, shumë viktima u zbuluan në varre masive pa shenja, disa në varrezat komunale. Të tjerë u lanë në plazhet e Argjentinës, pasi ishin droguar dhe hedhur nga avioni në oqean nga ushtria.
Sipas ekspertëve, pas birësimeve të paligjshme ushtarake qëndronte një besim se, teksa prindërit e fëmijëve ishin mëkatarë të pandreqshëm që meritonin të vdisnin, vrasja e fëmijëve të tyre të porsalindur do të ishte mëkat.
Historiani argjentinas Fabricio Laino beson se kishte një logjikë më cinike se kaq.
“Ushtria ishte e bindur se mund t’i shpëtonte dhe reformonte këta fëmijë. Ata donin t’i shpengonin nga familjet që, sipas tyre, me siguri do t’i kishin rritur në një mjedis subversiv”, ka thënë ai.
Baltasar Garzón, një ish-gjyqtar spanjoll dhe aktivist i të drejtave të njeriut, është i bindur se diçka më ataviste ishte pas saj.
“Përvetësimi i fëmijëve gjithmonë ka pasur për qëllim poshtërimin dhe nënshtrimin e armikut. Marrja e fëmijës së armikut ishte një mjet pazari. Ata ndryshojnë jetën e një personi duke e nxjerrë jashtë mjedisit dhe familjes së tij biologjike. Dhe metoda e përdorur në Argjentinë ishte veçanërisht perverse: pritja që nëna të lindte, më pas marrja e foshnjës, torturimi i saj, vrasja dhe zhdukja”.
Për dekada, qindra fëmijë janë rritur nga të njëjtët njerëz që ishin përgjegjës për torturimin dhe vdekjen e prindërve të tyre biologjikë.
Pas kthimit në demokraci, anëtarët e ushtrisë u larguan me familjet e tyre birësuese, shpesh në vendet ku ekstradimi ishte i ndaluar.
Vildoza, në mesin e viteve 1980, u zhvendos së bashku me Javier dhe gruan e tij nga Paraguai në Afrikën e Jugut, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë kërkimin e familjes së Cecilia-s për djalin.
Ai u identifikua nga të mbijetuarit si i dyti në komandë në Escuela de Mecánica de la Armada (Esma), një nga kampet më famëkeqe të torturës dhe shfarosjes së diktaturës.
Atje mbaheshin më shumë se pesë mijë të burgosur – përfshirë Cecilia-n.
Të arrestuarit mbuloheshin me kapuç dhe torturoheshin çdo ditë.
Më shumë se 30 për qind e të burgosurve gjatë diktaturës së Videla-s ishin gra. Të burgosurat, duke përfshirë gra shtatzëna, u abuzuan seksualisht dhe u përdhunuan në grup.
Ish të burgosurit kanë dëshmuar se torturat u urdhëruan nga Rubén Chamorro, kreu i Esma-s dhe zëvendësi i tij Vildoza.
Rreth kohës kur Javier mbushi 12 vjeç, nëna e tij adoptuese zbuloi se ajo dhe Vildoza nuk ishin prindërit e tij të lindjes.
“Mbaj mend që ajo ishte shumë e sigurt se unë e dija që prindërit e mi biologjikë më donin dhe se nuk isha braktisur. Ajo madje theksoi se nëse një ditë do të doja të zbuloja se cilët ishin prindërit e mi biologjikë, do të më ndihmonte. Vetëm më vonë fillova të kuptoja se mund të isha një nga fëmijët që u birësuan ilegalisht”.
Me kalimin e kohës, Javier u bë i vetëdijshëm për identitetin e tij të vërtetë dhe kontekstin historik në të cilin u rrit.
“Midis 12 dhe 18 vjeç, Vildoza më tregoi të gjithë historinë, më tregoi kaq shumë për origjinën time dhe ishte i hapur për t’u gjykuar nga unë. Ai madje më tha gjëra tronditëse që kishte bërë, gjëra që kuptova se isha i vetmi në familjen time birësuese që i dija”.
Javier, kur mbushi 21 vjeç, bëri hapin tjetër të madh.
Në fillim të vitit 1998, ai zbuloi se kishte pasur një ankesë për birësimin e tij të paligjshëm dhe se familja Viñas e kishte kërkuar për gati 20 vjet.
Atë pranverë, ai u kthye në Argjentinë për një test të ADN-së.
“Kur u paraqita për testin e ADN-së, e dija thuajse të gjithë historinë. Ajo që nuk dija ishte se familja Viñas ishte familja ime nga nëna, sepse babai im adoptues ishte i bindur se ata nuk ishin”.
Megjithatë, rezultati i testit nuk la vend për dyshime: Javier ishte djali i Cecilia Viñas dhe Hugo Penino.
“Kur pashë fotografitë e prindërve të mi biologjikë … ishte shumë prekëse, u ngjaja shumë. Unë isha një përzierje e tyre. Menjëherë pasi më dhanë rezultatin, më vunë para gjyshes nga nëna, gjyshit nga babai dhe më pas dajës dhe tezes. Dhe unë duhet t’i takoja të gjithë menjëherë. Ishte shumë intensive”.
Për Javier, kishte edhe implikime më të zymta.
Gëzimi i gjetjes së familjes së tij biologjike u kthye në konfuzion kur iu kërkua të bashkëpunonte me autoritetet për të sjellë prindërit e tij birësues para drejtësisë.
“E kuptoj kërkimin e drejtësisë, e respektoj atë, por mos prisni që të jem pjesë e tij apo t’ua dorëzoj autoriteteve. Nuk do të isha atje nëse nuk do të ishin prindërit e mi birësues. Dhe ata më kanë rritur me dashuri që kur isha fëmijë”.
“Ata u larguan nga vendi, u fshehën dhe jetuan në arrati nga Interpoli për më shumë se 20 vjet. Ju nuk e bëni këtë vetëm për ideologji ose sepse keni frikë se mos ju kapin, por për shkak të dashurisë. Gjithmonë kam ndjerë dashuri për ta”.
Dhe reagimi i tij është i zakonshëm mes fëmijëve të së njëjtës rrjedhë të historisë së jetës së tyre.
Shumë prej tyre thonë se rrëmbyesit e tyre kanë vepruar nga dashuria. Ata shpesh mbajnë marrëdhënie me prindërit e tyre birësues edhe pasi zbulojnë të vërtetën.
Pas testit të ADN-së, Javier u kthye në Afrikën e Jugut dhe më pas u transferua në Londër, ku vazhdon të ketë një marrëdhënie me nënën e tij birësuese.
Kurse Vildoza ndërroi jetë nga një atak në zemër në Afrikën e Jugut në vitin 2005.
Më shumë se një mijë nga torturuesit dhe vrasësit e regjimit argjentinas janë gjykuar, me 700 dënime. Disa janë ende të arratisur. Pjesa më e madhe e hetimeve për mizoritë e ushtrisë dhe kërkimi për të gjetur fëmijët e birësuar ilegalisht është bërë nga Abuelas.
Të veshura me shami të bardha, nënat e militantëve të rrëmbyer u shfaqën fillimisht në kohën e diktaturës, kur në heshtje marshuan para Kongresit Kombëtar për të kërkuar informacion për fëmijët e tyre të zhdukur.
Dhe sot janë simbol i guximit dhe i luftës për drejtësi.
Deri më tani janë gjetur rreth 130 nga 500 fëmijët e rrëmbyer.
Abuelas kanë krijuar një rrjet në vende të ndryshme evropiane dhe kanë nisur një fushatë mbarëbotërore të quajtur #ArgentinaTeBusca (Argjentina po ju kërkon).
Ata që kanë dyshime për identitetin e tyre mund të kontaktojnë Abuelas dhe të bëjnë një test në konsullatën më të afërt argjentinase.
Më tej, mostra do të dërgohet në Bankën Kombëtare të të Dhënave Gjenetike në Buenos Aires.
“Meqenëse shkencëtarët nuk mund të krahasonin ADN-në e fëmijëve me atë të prindërve pas zhdukjes së tyre, ata vendosën t’i krahasonin me ato të gjyshërve dhe të gjithë familjes së supozuar biologjike”, ka treguar Mariana Herrera, drejtoresha e bankës së të dhënave.
Në fund të dhjetorit 2022, Abuelas ka njoftuar se ka gjetur dy nipër të tjerë të rrëmbyer nga prindërit e tyre gjatë diktaturës.
Mirëpo, aktivistët paralajmërojnë për nevojën për të vepruar shpejt, pasi dëshmitarët plaken dhe gjyshërit vdesin.