Jo vetëm sportistët ukrainas, të cilët e ndjejnë më shumë se të gjithë atë që po ndodh me vendin e tyre, por edhe të tjerët janë solidaruar dhe kanë gjetur mënyrën për të dhënë mesazhin për ndalimin e luftës, që po shkakton viktima të pafajshme.
Një gjest i bukur ka ardhur nga lojtarët e Napolit dhe Barcelonës. Para ndeshjes së Ligës së Europës në “Maradona” ata janë bashkuar në qendër të fushës dhe kanë hapur një parullë, ku shkruhej ‘Stop War’ (Stop luftës). Një mesazh kundër pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Interesant është fakti se kjo ndeshje gjykohej nga një treshe ruse, me Karasev arbitër kryesor.
Ruslan Malinovski, lojtari ukrainas i Atalantës, shënoi dy gola ndaj Olimpiakosit dhe nuk mund të mungonte edhe mesazhi i tij. Në një fanellë poshtë asaj zyrtare ai kishte shkruar “No war” (jo luftë). Malinovski ka dashur t’i tregojë gjithë botës se sa e tmerrshme është lufta.