Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

SPECIALE/ ‘Duam të bëjmë historinë, ja si do luajmë me Anglinë’, kur Shyqyri Rreli jepte intervistë për World Soccer

Nga Mendrit Shehu- Në ditën e fundit të vitit 2019,është ndare nga jeta në moshën 89 vjeçare, një ikonë e vërtetë e historisë së futbollit shqiptar, Shyqyri Rreli. Plot 71 vjet dedikuar futbollit. Pas çlirimit të vendit iu përkushtua me shumë pasionit, ku pasi u stërvit në mënyrë individuale, në moshën 18 vjeçare aktivizohet me Erzenin e Shijakut, dhe pas një viti kalon në radhët e Punës së Tiranës.

Fusha e Aviacionit, Tiranë – 25.08.1950. Në qendër Shyqyri Rreli

Më vonë për dhjetë vite me radhë, nga 1952 deri në vitin 1962, Shyqyri Rreli bëhet pjesë e formacionit bazë të Dinamos, me të cilën fiton katër tituj kampion dhe tri kupa të Shqipërisë. Pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, Rrreli i përkushtohet ekipeve të moshave, ku nis edhe suksesi si trajner.

Me Dinamon

Më 1978 udhëheq Shqipërinë U-21 (Shpresa) drejt titullit kampion të Ballkanit, pasi ka shkatërruar në Tiranë, Rumaninë me rezultatin 7-1. Por suksesi nuk do përfundonte me kaq, pasi në 1983 çuditi botën e futbollit, ku ndalon Gjermaninë e Berti Vogst, duke e renditur Shqipërinë e 21 vjeçarëve në 8 më të mirat e Evropës.

Menjëherë pas suksesit me ekipin e moshave, Rrelit i ofrohet mundësia të drejtojë ekipin kombëtar. Me punë dhe vullnet arrin të krijojë një grup fantastik. Barazimi 2-2 me Poloninë dhe fitorja-fantastike 2-0 kundër Belgjikës, një ekip plot me yje, bën që një komb i vuajtur të harrojë për pak momente shtypjen, duke ëndërruar kualifikimin në event madhor, Botërori i Meksikës 1986. Edhe pse qëllimi nuk u arrit, Shqipëria kishte krijuar një grup fantastik, ku në përbërje kishte lojtarë si Musta e Mersini…Hodja e Ocelli, F.Rragami, Zmijani, Vukatana, Omuri, Josa, Jera, Demollari, Minga, Kola ,Muca, Shehu.

Kur Shqipëria mundi Belgjikën në vitin 1984

Forma e treguar nga kjo kombëtare, zgjoi kuriozitetin e shtypit të huaj sportiv të hulumtonin më shumë rreth këtij ekipi gati të panjohur për ta. Pikërisht në numrin e marsit të vitit 1989, në prag të ndeshjes që Anglia do të zhvillonte në Tiranë, revista e mirënjohur “World Soccer” do ti dedikonte një shkrim kombëtares së Shqipërisë. Nëpërmjet gazetarit të mirënjohur Gëzim Nushi, do të publikohej një intervistë me trajnerin e kombëtares Shyqyri Rreli.

08/03/1989 – Shqipëri vs Angli

‘’ Trajneri me një nga emrat më të çuditshëm në qarkullim, Shyqyri Rreli i Shqipërisë, ka një paralajmërim të qartë për Anglinë. Në një intervistë ekskluzive për World Soccer ai deklaron: “Kjo ndeshje do të jetë një ngjarje historike për futbollin shqiptar, sepse është hera e parë që Anglia, shtëpia e futbollit, do të vijë për të luajtur në Tiranë. Por, edhe pse kemi një respekt të madh për futbollin anglez, ne do të bëjmë çmos për të arritur atë, që mund ta quajmë një rezultat historik. Por, duhet të paralajmëroj edhe tifozët tanë. Kur nuk ke luajtur asnjëherë kundër një ekipi – nuk mund të dish gjithçka rreth pikave të forta dhe të dobëta të tyre. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se ardhja këtu në Tiranë do të jetë e vështirë për Anglinë, por nga ana tjetër kjo ndeshje do të jetë gjithashtu e vështirë për ne. Mos harroni gjithashtu që Anglia ka ‘ambasadorin’ e tyre, Gary Lineker i cili ka luajtur katër herë me Barcelonën kundër klubit tonë Flamurtari, në garat evropiane.’’

Në vazhdim të intervistës Rreli analizon rezultatet e fundit të kombëtares dhe rreth ndryshimeve të mundshme në formacion.  Përpos intervistës në këtë speciale përshkruhej historia e kombëtares dhe analizoheshin lojtarët e grumbulluar. Edhe pse Shqipëria humbi me rezultatin 0-2, kjo intervistë mbetet një moment historik për futbollin shqiptar të asaj kohe, sepse gjatë regjimit komunist ishte e rrallë që një trajner i Kombëtares të intervistohej nga një revistë prestigjioze.

LAJME TË TJERA >>