Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Sot përfundon afati i SHBA-së dhe BE-së për Kosovën, paralajmërohen pasoja

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian presin që sot (7 qershor) të arrihet një marrëveshje për qetësim të situatës në veri.

Kjo nënkupton se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të pajtohet me tri pikat/kushtet që dy emisarët, Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak i vendosën atij, në takimin e së hënës.

  • Qetësimi i situatës në veri të Kosovës,
  • Mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe dhe,
  • kthimi në dialog me Serbinë.

Me pasoja afatgjata do të përballet Kosova nëse kryeministri Albin Kurti nuk e pranon propozimin ndërkombëtar për ta depërshkallëzuar situatën në veri, ka paralajmëruar emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të martën. Sipas tij, përgjigjja e kryeministrit nuk do të pritet më shumë se deri të mërkurën (sot) dhe në rast se ajo është negative, do të konstatohet se Kurti nuk dëshiron bashkëpunim me SHBA-në e BE-në

Edhe pse ne qëndrojmë pas tyre, ata nuk pranojnë të koordinohen. Kjo na lë ne të kuptojmë se si na shohin ata neve si partnerë dhe kjo duhet të ketë pasoja”, ka thënë Escobar të martën.

Pasoja e parë për Kosovën ishte përjashtimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës nga ushtrimi i madh që SHBA-ja organizon me aleatët “Defender Europe 2023”. Ushtrimi ishte duke u mbajtur në Kosovë, kur ai u ndërpre dhe nga Ambasada u njoftua se “për Kosovën ka marrë fund pjesëmarrja”.

Ai ka shtuar që vendi i tij, BE dhe partnerët ndërkombëtarë janë bashkë dhe me një qëndrim në kërkesat për qetësim dhe normalizim të situatës dhe nëse kjo nuk ndodh, por përkeqësohen raportet, atëherë pasojat për Kosovën do të jenë afatgjata.

Dua ta bëj shumë të qartë se ne shohim se kjo do të ketë ndikim në raporte, në terma afatgjatë. Por, veprimet e marra apo të pandërmarra mund të kenë disa pasoja që do të mund të ndikojnë në pjesë të raportit tonë. Por, për këtë pjesë nuk dua të flas”, ka thënë Escobar në takim me gazetarët.

Teksa ka folur për pasojat, Escobar ka thënë se ato nuk janë të drejtuara ndaj popullit të Kosovës, pasi, siç ka thënë, Amerika ka marrëdhënieve të shkëlqyera me kosovarët.

Ne po e shohim që po merren vendime, pavarësisht partneritetit tonë, dhe ky është sinjal për ne – ne nuk mund ta pranojmë këtë gjë. Prandaj, në një pikë, kur të duam ta rikthejmë koordinimin dhe partneritetin me këtë Qeveri, ne jemi të gatshëm, sepse ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk e ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”, ka thënë ai. “Shpresojmë që njerëzit ta kuptojnë se vështirësitë tona të tanishme që kemi me kryeministrin nuk do të prekin këtë sentiment”.

Për më tepër, ai ka shtuar se çfarëdo që qeveria e shtetit të tij ka me kryeministrin Albin Kurti, nuk do ta ndikojë popullin.

Emisari amerikan ka thënë se nga ekzekutivi është kërkuar që “të mos ndizen situatat që janë delikate dhe se është vlerësuar se ka pasur këmbëngulje, duke përdorur forcën për të futur kryetarët e rinj në ndërtesat komunale”.

LAJME TË TJERA >>