Ross Douthat– Një nga sfidat më të vështira në gjeopolitikë është gjetja e mënyrës së duhur për të kryer një tërheqje të suksesshme. Kjo u dëshmua verën e kaluar në Afganistan, kur administrata Biden bëri zgjedhjen e duhur strategjike – duke minimizuar humbjet përpara se situata të përshkallëzohej, duke ruajtur një status quo të falimentuar moralisht – por më pas u trondit përmes një tërheqjeje katastrofike që ‘’plagosi’’ presidencën e tij dhe zbuloi paaftësinë amerikane ndaj një botë vëzhguese.
Tani po përballemi me të njëjtin problem me Ukrainën. Shtetet e Bashkuara në ditët e saj si superfuqi bënë një sërë lëvizjesh për të zgjeruar perimetrin e ndikimit të thellë rreth e qark Rusisë. Disa nga këto lëvizje duket të jenë të qëndrueshme: Zgjerimi i NATO-s për të përfshirë vendet e ish-Traktatit të Varshavës ishte në vetvete një rrezik, por për momentin këto angazhime duken të sigurta. Por përpjekja për të nxjerrë Ukrainën nga orbita e Rusisë, opsion pjesërisht i hapur për ukrainasit që preferonin aleancën me perëndimin, ishte një guxim i marrë edhe kur fuqia amerikane ishte në kulmin e saj.
Duhet kuptuar se kjo nuk është një çështje se çfarë meritojnë ukrainasit. Rusia është një aktor agresiv dhe autoritar në krizën aktuale; Ukraina është një demokraci e brishtë, por një regjim më i denjë se oligarkia e Vladimir Putinit. Kur i dhamë Ukrainës garancitë e sigurisë nën qeverisjen e Bill Clinton, hapëm derën e anëtarësimit në NATO nën qeverisjen e George W. Bush dhe mbështetëm protestat e Maidan nën qeverisjen e Barack Obamës, ne në secilin rast vepronim me qëllime më të mira se Moska që përdorte makinacionet e saj.
Por në gjeopolitikë synimet e mira janë gjithmonë në kundërshtim me realitetin e pushtetit. Cilado qofshin dëshirat, qeveria në Ukrainë thjesht nuk ka qenë kurrë në një pozicion për t’u bashkuar plotësisht me Perëndimin – është shumë e dobët ekonomikisht, shumë e përçarë brenda dhe thjesht në vendin e gabuar.
Duke pasur parasysh këto realitete dhe nevojën urgjente për të përqendruar fuqinë amerikane në Azinë Lindore për t’iu kundërvënë Kinës, është mjaft e qartë se ku do të përfundonte një tërheqje ideale: me zgjerimin e NATO-s, me Ukrainën që i nënshtrohet presionit të pashmangshëm rus, por as të pushtuar dhe as të aneksuar, dhe me aleatët tanë të NATO-s që mbajnë mbi supe më barrën e mbajtjes së një perimetri sigurie në Evropën Lindore.
Arritja e një mirëkuptimi me Putinin është sfidë më vete, sepse ai është investuar qartë për të qenë një përçarës i përhershëm, duke shfrytëzuar çdo mundësi për të poshtëruar Perëndimin. Nxjerrja e vetvetes nga ngatërresat tona ukrainase do të fusë në mënyrë të pashmangshme dyshime për angazhimet tona më të rëndësishme në të ardhmen, dyshime që do të jenë më të mëdha sa më shumë të vuajë Kievi nga tërheqja jonë.
Duke pasur parasysh këto vështirësi, kursi i lëkundur i administratës Biden është i kuptueshëm. Shtetet e Bashkuara nuk mund të bëjnë asgjë nëse Rusia pushton Ukrainën; gjithashtu do të ishim të çmendur t’i bashkoheshim luftës në anën e Ukrainës. Pra, kërkimi i Shtëpisë së Bardhë për përgjigjen e duhur ndërmjet, një ekuilibër të sanksioneve dhe dërgimit të armëve, duket ngacmues dhe i pasigurt për disa arsye: Nuk ka thjesht një përgjigje të përsosur, vetëm një balancim më pak të keq opsionesh.
Por ndjenja ime është se ne ende po i vendosim shumë peshë idesë se vetëm NATO mund të thotë se kush është në NATO, se thjesht përjashtimi i anëtarësimit të Ukrainës është disi një lëshim i pamundur. Kjo mendjemadhësi është një anakronizëm, kur shkurtimisht dukej e mundur që, siç thotë historiani Adam Tooze , kufijtë vendimtarë të botës “do të vizatoheshin nga fuqitë perëndimore, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja. sipas kushteve të tyre dhe në përputhje me forcat dhe preferencat e tyre.”
Bota nuk funksionon kështu tani, dhe pikërisht për shkak se nuk funksionon kështu, unë do të isha disi i lehtësuar – si një qytetar amerikan, jo thjesht një vëzhgues i politikës ndërkombëtare – të shihja liderët tanë të pranojnë, në vend që të shprehin idenë, se një ditë mund të detyrohemi me traktat të rrezikojmë një luftë bërthamore mbi Donbas.
Mund të jetë e arsyeshme dhe ende e dhimbshme – e dhimbshme si një njohje e dobësisë perëndimore, e dhimbshme për shpresat dhe ambiciet e ukrainasve.
Por të pranosh disa dhimbje për hir të një pozicioni më të qëndrueshëm është thjesht ajo që ndodh kur ke marrë vendime të këqija dhe po përpiqesh të gjesh një mënyrë të denjë dhe dinjitoze për një tërheqje të nevojshme.
Burimi: The New York Times. Përktheu dhe Përshtati: Emisar