Zakonisht cilësohet si shenjë e keqe nëse bisedimet fillojnë me njërën palë duke treguar forcën. Dhe diçka e tillë mund të vërtetohet kur diplomatët rusë të takohen me homologët e Amerikës së Veriut dhe Europës javën e ardhshme, të mbështetur nga 100.000 trupa të gatshëm për të pushtuar Ukrainën.
Ajo çfarë rrezikohet në fakt është e ardhmja e një vendi që e sheh veten gjithnjë e më shumë si pjesë e Perëndimit, si dhe roli i Amerikës si spirancë e sigurisë europiane. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka paraqitur tashmë kërkesat e tij për bisedimet, të cilat do të fillojnë mes Rusisë dhe SHBA-së në Gjenevë më 10 janar, do të zhvendosen në Bruksel në një takim dy ditë më vonë dhe do të përfundojnë në Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë më 13 janar.
Putin dëshiron që NATO të heqë dorë nga çdo zgjerim i mëtejshëm, kudo, dhe jo vetëm në Ukrainë dhe Gjeorgji, dy shtete ish-sovjetike. Amerika nuk duhet tu sigurojë më armë bërthamore dhe raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme aleatëve të saj. Dhe Rusia dëshiron, në fakt, një veto mbi dislokimet dhe stërvitjet e trupave në pjesët lindore të territorit të NATO-s dhe mbi bashkëpunimin ushtarak me të gjitha vendet ish-sovjetike.
Shumë nga këto kërkesa janë aq të dëmshme për sigurinë e Europës, saqë mund të refuzohen vërtetë, duke krijuar një pretekst për një pushtim tjetër të Ukrainës. Nëse Putin është me të vërtetë i vendosur të pushtojë Ukrainën, do ta bëjë. Megjithatë, diplomacia e fuqishme ende mund t’i sigurojë atij një pauzë dhe të ndihmojë në ndalimin e prishjes së marrëdhënieve midis Rusisë dhe Perëndimit.
Edhe nëse bisedimet dështojnë, NATO mund të fuqizohet edhe më shumë, të jetë me e bashkuar dhe më e qartë për kërcënimin me të cilin përballet. Mos kini asnjë dyshim se Putin është ai që ka shkaktuar këtë krizë. Ndoshta ai dëshiron që Ukraina të dështojë sepse nëse do të bëhej një demokraci e lulëzuar, do të ishte një humbje ndaj pretendimit të tij se vlerat perëndimore janë të pafuqishme në Rusinë ortodokse dhe sllave. Ai gjithashtu mund të synojë të përçajë dhe dobësojë NATO-n, si dhe të krijojë armiqësi jashtë vendit, në mënyrë që të justifikojë represionin në vend, si me Memorial, një grup i të drejtave civile.
Dhe Putin mund të ndihet i penduar për marrëveshjet e sigurisë që Rusia nënshkroi pas Luftës së Ftohtë. Sipas tij, Rusia është më e fortë dhe fuqia e Amerikës ka rënë për shkak të sfidës me Kinën. Për çfarëdo arsye, ai duket se po nxiton të krijojë trashëgiminë e tij duke rinovuar sferën e ndikimit të Rusisë. Disa gjëra janë në favor të tij. Ai ka avantazhin e agresorit, duke kontrolluar orarin dhe shtrirjen e një sulmi, nëse do të ketë një të tillë. Të gjithë e dinë se Perëndimi nuk do të dërgojë trupa për ta mbrojtur atë.
Por jo gjithçka po shkon sipas mënyrës së tij. Ukraina ka aq popullsi sa dhe Iraku. Megjithëse forcat ruse duhet të jenë në gjendje ta mposhtin atë në betejë, pushtimi mund të ketë një çmim të lartë, veçanërisht nëse ukrainasit nisin një kryengritje. Dhe në Kazakistan, në kufirin jugor të Rusisë, Putinit do t’i kërkohet të ndihmojë në shtypjen e një kryengritjeje popullore, një shpërqendrim dhe provë e vështirë e gatishmërisë së tij.
Për këto arsye, atij mund t’i duhet të frenojë ambiciet e tij dhe, të pushtojë enklavat rreth Donetskut që tashmë janë të kontrolluara nga Rusia, ose të krijojë një urë tokësore për në Krime, të cilën ai e aneksoi në 2014-n.
Problemi tjetër i Putinit është se përpjekjet e tij për të pushtuar Ukrainën kanë bashkuar NATO-n dhe i ka dhënë aleancës një qëllim të ri. Ultimatumi i tij, i kombinuar me gatishmërinë për të rritur çmimin e gazit rus në Europë në vitin 2021, ka lënë terrenin e hapur për ata që argumentojnë për lidhje më të ngushta me Kremlinin. Amerika ka ndihmuar në galvanizimin e europianëve, duke ndarë informacione të detajuara për një numër të madh trupash që janë grumbulluar pranë kufirit ukrainas.
Perëndimi duhet të ketë dy objektiva në bisedimet e javës së ardhshme: të pengojë luftën në Ukrainë nëse është e mundur dhe të rrisë sigurinë europiane.
Ndalimi i një pushtimi rus përfshin kërcënimin e sanksioneve të ashpra ekonomike, si dhe ndihma dhe armë mbrojtëse për Ukrainën. Në të njëjtën kohë, Perëndimi mund të kërkojë të qetësojë Putin duke deklaruar qartë se, megjithëse Rusia nuk ka veto formale se kush i bashkohet NATO-s, as Ukraina dhe as Gjeorgjia nuk janë ende gati të bëhen anëtare.
Qëllimi i dytë, për të rritur sigurinë e Europës, mund të ulë gjithashtu tensionet mbi Ukrainën. Edhe pse disa kërkesa ruse do ta linin Europën të pambrojtur, të tjerat mund të ishin baza për bisedime nga të cilat përfitojnë të dyja palët. Ka shumë gjëra për të diskutuar nga Arktiku te siguria kibernetike, tek teknologjitë e reja të raketave. Negociatat do të zvarriteshin, për shkak të mosbesimit mes dy palëve, por kjo mund të mos jetë dhe aq negative sepse ato mund të kthehen në një forum të dobishëm.
Çështja nuk qëndron nëse bisedime të tilla mund të arrihen, ato janë qartësisht në interesin e Rusisë por nëse Putin i dëshiron vërtet ato. Ai shpesh është sjellë sikur siguria e Rusisë varet nga fakti që Perëndimi të ndihet më pak i sigurt. Megjithatë, negociatat do të rrisnin statusin e tij si lider botëror. Duke i kufizuar fushat e konkurrencës ushtarake, ato gjithashtu mund ta ndihmojnë atë të përballet me faktin se Rusia nuk mund të përputhet me burimet e kombinuara të Perëndimit.
Dyshimet rreth synimeve reale të Putin nënkuptojnë se, edhe nëse fillojnë bisedimet, NATO duhet të tregojë se është i përgatitur për të mbrojtur anëtarët e tij. Më të rrezikuarit janë shtetet baltike. Pasi Rusia pushtoi Krimenë, fuqitë perëndimore të NATO-s filluan të dërgojnë më shumë trupa në lindje. Edhe nëse Ukraina nuk është gati të bashkohet me NATO-n, Rusia po shtyn Suedinë dhe Finlandën drejt anëtarësimit.
Aleanca duhet të jetë e gatshme t’i mirëpresë ata. Amerika duhet të sigurojë që marrëveshjet të mos bëhen kurrë mbi kokat e vendeve europiane, pasi ky është stili i Rusisë. Putin ka deklaruar se vendi i tij është i kërcënuar. Por në fakt nuk është. NATO është një aleancë mbrojtëse, dhe pas Krimesë, ajo është frenuar nga vendosja e forcave luftarake në Europën Lindore.
Kërcënimi i vërtetë është Putin. Kur ai shpalosi kërkesat e tij, duke i cilësuar si të nevojshme, kjo në fakt duhet të forconte vendosmërinë si të Perëndimit ashtu edhe të ukrainasve për ta penguar dhe për të bërë rezistencë ndaj tij.