Ajo paraqitje e mirë e Kombëtares në Barcelonë ndaj Spanjës bëri që miqësorja e sotme të pritej me shumë interes, por Shqipëria është kthyer ‘e zakonshme’ dhe nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0. Ndoshta ajo e eufori ishte pak e tepruar, siç tregoi edhe ky test i dytë me Gjeorgjinë, që për hir të së vërtetës, ishte një skuadër për t’u vlerësuar. Shënimi i golit mbetet problemi kryesor i kuqezinjve.
Trajneri Reja bëri shumë ndryshime në formacion, ashtu sikurse kishte paralajmëruar, pasi dëshironte t’i testonte të gjithë. Nuk ndryshoi vetëm mbrojtja, mesfusha u ribë me Asllanin, Ramadanin, Çekiçin, Hysajn dhe Roshin, ndërsa Broja luajti me Manajn në sulm.
Vetëm një rast në pjesën e parë me Endri Çekiçin, që gjuajti mbi tra. Munguan depërtimet e Brojës, i cili luajti vetëm 45 minuta dhe më pas i la vendin Cikalleshit. Ishte piëkrisht kavajasi që i dha një marsh tjetër sulmit kuqezi. Cikalleshi rrezikoi dy herë, por kërkoi zgjidhjen individuale dhe nuk pati sukses.
Në mesin e pjesës së dytë u futën në fushë edhe Gjasula, Vrioni dhe Laçi. Për t’u përmendur një rast i Vrionit dhe një gjuajtje e Asllanit nga jashtë zonës. Cikalleshi mbeti në pozicion jashtë loje në katër raste radhazi dhe minutat e fundit, pavarësisht epërsisë territoriale të Shqipërisë, asgjë nuk ndryshoi.
Pati edhe një moment nervozizmi në pjesën e dytë, që lindi pas një faulli, ku në fushë u fut edhe trajneri Reja, duke akuzuar një nga gjeorgjianët për simulim.
Mbyllet në barazim 0-0 kjo ndeshje, ku kuqezinjtë nuk kanë mundur ta çajnë murin gjeorgjian, duke ulur kështu edhe euforinë e krijuar pas paraqitjes së mirë me Spanjën. Gjithsesi, trajneri Reja ka marrë disa përgjigje, ku mund të veçohet paraqitja e Asllanit, ndër më të mirët për Kombëtaren tonë.
Shqipëri-Gjeorgji 0-0
Shqipëria: Strakosha, Ismajli, Kumbulla, Gjimshiti, Roshi (Lenjani 77’), Hysaj, Asllani, Ramadani (Gjasula 65’), Çekiçi (Laçi 65’), Broja (Cikalleshi 46’), Manaj (Vrioni 65’). Trajner: Reja
Gjeorgjia: Mamardashvili, Dvali, Çabradze, Tsitaishvili, Kashia, Kverkvelia, Aburjania, Davitashvili, Kvekveskiri, Kazaishvili, Volkov. Trajner: Sanjol