Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Shqipëria e diasporës, si mund të jetë formacioni kuqezi në të ardhmen

Diaspora shpesh herë luan një rol kyç në ekipet kombëtare. Vittorio Pozzo ishte i pari që e kuptoi këtë gjë, teksa drejtonte Italinë në triumfin e dyfishtë në Kupat e Botës 1934 dhe 1938.

Trajneri legjendar italian ishte gjithashtu i pari që arriti ta përcaktonte vetë listën me lojtarët që do të ftoheshin në kombëtare, pasi në atë kohë vendoste federata. Dhe ai ia pa “hajrin” lojtarëve të diasporës.

Brenda asaj diaspore, Pozzo thirri Luis Monti-n, i cili kishte luajtur në finalen e Kupës së Botës 1930 për Argjentinën, dhe Raimundo Orsi, një tjetër ish-lojtar i Argjentinës që do të shënonte për Italinë në finalen e 1934, një fitore 2-1 ndaj Çekosllovakisë.

Rasti më i fundit, i cili tregon se diaspora mund të luaj një rol të madh në një ekip kombëtar që vuan për të nxjerr futbollistë të mëdhenj nga futbolli vendas është Maroku.

Skuadra marokene arriti të shkruante historinë në Kupën e Botës 2022, teksa mori vendin e katërt. I vetmi komb afrikan dhe arab që ka një arritje të tillë.

Mirëpo yjet më të shquar të Marokut nuk kanë lindur në vendin e Afrikës veriore. Portieri, Bono ka lindur në Kanada. Achraf Hakimi në Spanjë. Noussair Mazraoui, Sofyan Amrabat dhe Hakim Ziyech në Holand. Ndërsa, Sofiane Boufal dhe kapiteni Romain Saiss në Francë.

Por, a mundet që edhe Kombëtarja e Shqipërisë të ketë një fat të tillë me diasporën? Sigurisht. Armando Broja është shembulli më tipik. I lindur në Angli nga dy prindër shqiptarë, sulmuesi i Chelsea-t zgjodhi të përfaqësonte ngjyrat kuqezi që herët, pavarësisht ofertës për t’u aktivizuar me ekipet kombëtare të moshave të “Tre Luanëve”.

Si mund të duket Shqipëria e të ardhmes nëse diaspora do të kontribuonte 100 për qind në formacionin e parë të saj?

Sajdi i njohur për zbulimin e talenteve në futboll “Football Talent Scout”, ka përcaktuar 11 yjet kuqezi të së ardhmes, që gëzojnë nënshtetësi të dyfishtë.

Në portë vendoset Angelo Sina. Gardiani 18-vjeçar i portës së skuadrës greke të Olympiacos U-19. Aktualisht ai nuk është pjesë e asnjë ekipi kombëtar.

Në mbrojtje janë tre emra: Bryan Boci, Gabriel Ramaj dhe Armand Likaj.

Boci, 19 vjeç, është kapiteni i Genoa U-19. Ai numëron edhe një paraqitje me Italinë U-21.

Ramaj është 16 vjeç. Ai aktivizohet me Atalanta-n U-18. Aktualisht është pjesë e Italisë U-17, teksa ka qenë më herët pjesë e Italisë U-16 dhe Shqipërisë U-17.

Likaj është 17 vjeç. Ai aktivizohet me Schalke 04 U-19. Aktualisht është pjesë e Gjermanisë U-17.

Në mesfushë vendosen Justin Ferizaj dhe Venis Uka.

Ferizaj, 17 vjeçar luan me ekipin e parë të Shamrock Rovers, me të cilët numëron pesë paraqitje këtë sezon në kampionat. Aktualisht ai aktivizohet për Irlandën U-19. Më herët ka qenë pjesë e Irlandës U-15, U-17 dhe U-18.

Uka, 16 vjeç, aktivizohet me skuadrën U-17 të Borussia Dortmund. Aktualisht ai nuk është pjesë e asnjë ekipi kombëtar.

Më të avancuar në fushë janë katër emra: Kevin Zefi, Rocco Vata, Luis Hasa dhe Brajan Gruda.

Zefi, 17 vjeç, luan për Inter U-19. Ai shihet si një nga talentet më me perspektivë në Irland. Aktualisht luan me Irlandën U-19, pasi më herët është aktivizuar me ekipet U-15, U-17 dhe U-18.

Vata, gjithashtu 17 vjeçar është një tjetër talent i madh shqiptaro-irlandez. Ai është djali i legjendës kuqezi, Rudi Vata. I lindur në Skoci, Rocco luan për ekipin B të gjigandëve të Celtic, me të cilët numëron tetë gola dhe një asistim në 14 paraqitje në kampionat. Aktualisht luan për Irlandën U-19, pasi më herët ka qenë pjesë e U-15, U-17 dhe U-18.

Hasa, 18 vjeç, luan për skuadrën U-19 të Juventus-it. Aktualisht ai luan për Italinë U-19, pasi më herët ishte edhe pjesë e U-18.

Gruda, 18 vjeç, luan për skuadrën gjermane të Mainz. Ai është thirrur në ekipin e parë, megjithëse nuk ka asnjë paraqitje në Bundesliga. Aktualisht aktivizohet me Gjermaninë U-19, pasi ka kaluar të gjitha grupmoshat që nga U-15, U-16, U-17 dhe U-18.

Në qendër të sulmit gjendet Nelson Weiper. 17-vjeçari aktivizohet gjithashtu te skuadra e Mainz. Por, ndryshe nga Gruda, ai e ka bërë debutimin në Bundesliga, duke luajtur katër minuta në humbjen 2-1 ndaj Freiburg në javën e tetë të kampionatit. Aktualisht ai është pjesë e Gjermanisë U-18. Më herët është aktivizuar me U-16 dhe U-17 gjermane.

LAJME TË TJERA >>