Shqipëria ka humbur 2-1 ndaj Spanjës, por është një humbje që lë një shije pozitive, sepse kuqezinjtë kanë bërë një ndeshje të mirë dhe premtuese. Skuadra e trajnerit Reja ka përballuar mjaft mirë një skuadër të madhe si Spanja, duke treguar personalitet në fushë.
Kuqezinjtë luajtën mjaft mirë taktikisht dhe të organizuar në pjesën më të madhe të ndeshjes. Ata u mbrojtën mirë dhe tentuan golin me disa kundërsulme, ku treguan një gjendje fizike të mirë. Pavarësisht humbjes, kjo paraqitje premton për një Shqipëri kompetitive.
Trajneri Reja e nisi ndeshjen me formacionin që pritej, me përjashtim të portës, ku favorit dukej Strakosha, por në fushë doli Berisha. Rreshtimi 3-5-2 këtë herë ka funksionuar më mirë se herët e tjera, falë Ivan Balliut në të djathtë, por edhe dyshes Broja-Cikalleshi në sulm, me dy lojtarët që u morën vesh mjaft mirë me njëri-tjetrin.
Berisha dhe mbrojtja e bënë mirë detyrën e tyre deri në minutën e 75-të, kur nga një gabim përfitoi Ferran Torres për të zhbllokuar rezultatin. Broja vuri në presion disa herë mbrojtjen spanjolle me disa inkursione. Në një prej tyre Cikalleshi nuk arriti në kohë për të devijuar drejt portës.
Pas një ore lojë, trajneri Reja freskoi ekipin me Uzuni dhe Ramadanin në vend të Cikalleshit dhe Gjasulës. Më pas debutoi Kristian Asllani, i cili mori vendin e Laçit. Kuqezinjtë patën një rast të mirë për të barazuar, por Broja nuk arriti të kontrollonte topin, kurse gjuajtja e Laçit u devijua në këndore.
Myrto Uzuni pati edhe fatin me vete 5 minuta para fundit, kur devijoi drejt rrjetës një top që nuk u largua si duhet nga Pau Torres. Një gol historik nga beratasi, pasi është i pari në tokën spanjolle dhe i treti në total ndaj këtij kundërshtari. Spanja rrit presionin dhe në minutën e fundit të kohës së rregullt Dani Olmo mposht Berishën me një të djathtë të kalibruar.
Kuqezinjtë pretenduar dy herë për penallti, fillimisht për faull ndaj Cikalleshit, dhe në pjesën e dytë për një prekje të topit me dorë nga një mbrojtës spanjoll.
Spanjë-Shqipëri 2-1
Spanja: Martin, Karvahal (Azpilikueta), Garsia, Pau Torres, Alonso (Zhordi Alba), Gavi (Olmo), Rodri, Pedri, F.Torres, Morata (Pino), Sarabia (Soler). Trajner: Luis Enrike
Shqipëria: Berisha, Gjimshiti, Kumbulla, Ismajli, Hysaj, Gjasula (Ramadani), Laçi (Asllani), Balliu (Roshi), Bare, Broja (Manaj), Cikalleshi (Uzuni). Trajner: Edi Reja