Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Shifra, fakte dhe rekord, Shqipëria e varur nga Armando Broja

Armando Broja debutoi 7 shtatorin e vitit të kaluar me fanellën e kombëtares shqiptare, me një humbje minimale 0-1 ndaj Lituanisë dhe iu desh të priste plot një vit për të gjetur golin e tij të parë kuqezi, të cilin e shënoi vetëm para një muaji, mbrëmjen e 5 shtatorit.

Kundërshtari ishte pikërisht Hungaria, për të cilën historia nga tregonte se jo vetëm nuk e kishim mposhtur asnjëherë në 5 përballjet e mëparshme me të, por për më tepër nuk kishim arritur të shënojmë asnjë gol, e ndërkohë kishim pësuar 19 të tillë.

Por nëse në “Elbasan Arena” prapavija po e bënte shumë mirë punën, duke mbajtur portën të paprekur, duhej dikush të dërgonte topin në rrjetë dhe këtë e bëri pikërisht sulmuesi 20-vjeçar, i cili erdhi nga stoli dhe dërgoi topin në rrjetë, pas një aksioni ku një pjesë të mirë të punës u desh ta bënte vetë.

Vetëm tri ditë më vonë, kuqezinjtë u vunë përballë modestëve të San Marinos, ku Broja e nisi sërish nga stoli, për të zbritur në fushë që në fillim të pjesës së dytë dhe i mjaftuan ato 45 minuta për të shërbyer dy asiste dhe shënuar një gol prej bomberi të vërtetë.

Edhe mbrëmjen e djeshme, djaloshi që luan për Southamptonin në Premier Leaguen angleze, nuk u preferua nga minuta e parë, por kur gjetja e golit u komplikua, natyrisht që sytë e trajnerit Reja u kthyen nga stoli, aty ku Broja po priste me padurim lejen për të hyrë në fushë.

E bëri këtë në minutën e 66’ dhe pasi qëndroi disi në hije, në të 80-ën shpiku një aksion nga hiçi, duke dominuar kundërshtarët qoftë fizikisht, qoftë teknikisht dhe më pas lëshoi një diagonale nga një kënd mjaft i vështirë, duke e dërguar topin në të vetmin vend që mund të hynte gol.

Festa kuqezi është e pamasë, pasi ia kanë dalë të grumbullojnë 9 pikë në tre ndeshjet e fundit dhe protagonsit padyshim që është Armando Broja, ndaj të cilit duket se kuqezinjtë kanë krijuar varësi dhe këtë e konfirmojnë më së miri shifrat.

Në të tre ndeshjet e fundit Broja ka luajtur një total prej 83 minutash (13’ dhe 25 ndaj Hungarisë, 45 ndaj San Marinos), por ka qenë padyshim vendimtar, pasi ka shënuar tre gola, nga një për çdo ndeshje dhe ka dhënë dy asiste, duke qenë i përfshirë (gol ose asist) në 5 nga 7 golat që kuqezinjtë kanë shënuar në tre sfidat e fundit eliminatore, shkruan Super Sport.

Për më tepër, me golin e shënuar në “Puscas Arena”, Armando Broja u bë futbollisti i parë shqiptar që shënon gol në tre ndeshje radhazi me fanellën kuqezi, duke vendosur një rekord.

Iu deshën 363 ditë për të gjetur golin e parë kuqezi, por duket se tani Armando Broja nuk ka ndërmend të ndalet dhe objektivi i radhës është të “fundosë” edhe Poloninë, në një “Air Albania” që do të ketë vend për 22 mijë zemra kuqezi, përveç miliona të tjerëve që do ta ndjekin nëpërmjet ekranit.

LAJME TË TJERA >>