Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka kërkuar që pas ngjarjes së të premtes në komunat në Veri të Kosovës të shmanget dhuna dhe tensionet.
Ai gjatë një intervistë për Deutsche Welle ka thënë se nuk duhet të lejohet që situata të përshkallëzohet.
“Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të veprojnë në mënyrë të matur, të qetë, për të evituar çdo dhunë apo kërcënim dhe të depërshkallëzohet situata që fatkeqësisht doli jashtë kontrollit në komunën Zveçan në Veri”, ka thënë Wigemark.
“Besojmë se ne si BE, e kam përsëritur edhe unë dje, vlerësojmë se zgjedhjet e fundit, ndonëse u mbajtën në rend të mirë, por përfaqësojnë vetëm një pjesë shumë të vogël të popullatës në veri të Kosovës dhe nuk janë zgjidhje afatgjate. Ajo mund të gjendet vetëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ku përfshihet edhe popullata e serbëve lokalë të Kosovës”.
Sipas tij është e rëndësishme që të kuptohet ajo se çfarë po ndodh në terren.
“Ne e dimë se ka elemente kriminele të përfshira, por ka edhe popullatë lokale që nuk është e kënaqur me situatën. Ka mungesë besimi në mes të palëve në përgjithësi. Ka një numër të pikave të ndjeshme që mund të nxisin trazira”.
“E konsiderojmë këtë si pjesë të Kosovës sigurisht, por është shumë me rëndësi që qytetarët në të gjitha pjesët e Kosovës të ndjejnë se të drejtat e tyre demokratike e njerëzore po respektohen”, tha ai.
Edhe, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë thënë se po e monitoron nga afër situatën në Veri të Kosovës, pas tensioneve të krijuara ku Policia asistoi për t’i futur brenda zyrave të tyre kryetarët e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Nga KFOR-i përmes një cicërime në rrjetin social Tëitter thanë se i dënojnë të gjitha veprimet e njëanshme të cilat mund të krijojnë përshkallëzim të situatës.
“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës dhe dënon të gjitha aktet e njëanshme që rrezikojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve”, deklaruan nga KFOR-i.
Ndërkaq, ata thanë se “prioriteti ynë i parë mbetet sigurimi i një mjedisi të sigurt dhe të sigurt, në përputhje me mandatin tonë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Për situatën e krijuar në Veri të Kosovës kanë reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, por edhe Bashkimi Evropian, duke kritikuar kështu veprimet e Qeverisë së Kosovës.
Në komunikatën e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, u tha se ShBA-të “dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës”.
“Veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”.
Nga DASH kanë bërë me dije se “këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
“Do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thuhet në komunikatën e tyre.
Tutje, DASH i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin”.
Ndërsa, Bashkimi Evropian përmes një komunikate për media u tha se “BE-ja dënon ashpër përleshjet me policinë e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës, të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale”.
“Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-it duhet t’i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore”, kanë thënë nga BE-ja.
Ndërkaq, theksohet se “të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të de-përshkallëzuar situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë”.
Në mesditën e së premtes në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokal të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokal në ndërtesat e Kuvendeve Komunale kishte për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.
Megjithatë përkundër tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat komunave repsektive në Veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kishin arritur të futen në ndërtesat komunale.
Në të tri komunat Policia e Kosovës ka arritur të “thyej” turmën e protestuesve serbë duke e liruar edhe objektet e këtyre Komunave.
Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shok bomba për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesave komunale.