Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me aleatët janë përgatitur të diskutojnë me Rusinë në bisedimet për Ukrainën, mundësinë që secila palë të kufizojë stërvitjet ushtarake dhe vendosjen e raketave në rajon.
Kështu ka bërë me dije një zyrtar i lartë i administratës amerikane, tregon agjencia e lajmeve “Reuters”.
Me bisedimet vendimtare që do të nisin në Gjenevë, zyrtari ka treguar se SHBA-të nuk janë të gatshme të diskutojnë kufizimet për vendosjen e trupave amerikane ose qëndrimin e forcave të vendit në vendet e NATO-s në rajon.
Presidenti amerikan Joe Biden ka paralajmëruar se Rusia do të përballet me pasoja të rënda ekonomike nëse homologu rus Vladimir Putin do të nisë një pushtim të Ukrainës.
Dhe zyrtarët amerikanë kanë dhënë më shumë detaje mbi sanksionet e ashpra që mund të vendosen.
Një kufizim mund të synojë sektorë kritikë industrialë rus, duke përfshirë mbrojtjen dhe aviacionin civil.
Ai do të godiste ambiciet e teknologjisë së lartë të Rusisë, të tilla si në inteligjencën artificiale ose informatikën kuantike, apo edhe në elektronikën e konsumit.
Bisedimet e Gjenevës, që do të pasohen nga seanca të tjera javën e ardhshme në Bruksel dhe Vjenë, synojnë të shmangin një krizë.
Kjo sepse Putin-i ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa përgjatë kufirit me Ukrainën, duke krijuar frikën e një pushtimi.
Por ka mbetur e paqartë nëse SHBA-të dhe aleatët e vet evropianë mund të bëjnë përparim në bisedimet me Moskën.
Putin-i dëshiron t’i japë fund zgjerimit të NATO-s drejt lindjes dhe garancive të sigurisë, kërkesa që për SHBA-të janë të papranueshme.
Megjithatë, zyrtari i lartë amerikan, ka thënë se disa fusha paraqesin mundësi për bazë të përbashkët.
“Çdo diskutim i atyre fushave të mbivendosura ku mund të jemi në gjendje të bëjmë përparim do të duhet të jetë reciprok. Të dyja palët do të duhet të bëjnë në thelb të njëjtin angazhim”, ka sqaruar ai.
Gjithashtu, sipas tij, SHBA-të janë të gatshme të diskutojnë kufizimet nga të dyja palët në stërvitjet ushtarake.
“Jemi të gatshëm të eksplorojmë mundësinë e kufizimeve reciproke në madhësinë dhe shtrirjen e ushtrimeve të tilla, duke përfshirë të dy bombarduesit strategjikë afër territorit të njëri-tjetrit dhe stërvitjet me bazë tokësore”, ka thënë zyrtari.
Për të, Washington-i është i hapur për një diskutim më të gjerë mbi vendosjen e raketave në rajon.