SHBA dëboi diplomatin nr. 2 në ambasadën ruse në Uashington, si përgjigje ndaj Rusisë që dëboi diplomatin e rangut të dytë amerikan në Moskë në fillim të këtij viti, konfirmon një zyrtar i Departamentit të Shtetit.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes ka urdhëruar dislokimin e 7,000 anëtarëve të forcave ushtarake amerikane në Evropë. Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar i Mbrojtjes amerikane, fill pas konferencës për shtyp të presidentit Joe Biden.
Biden deklaroi se ai do të autorizonte “dislokimin e forcave tokësore dhe ajrore të stacionuara tashmë në Evropë”, respektivisht në Estoni, Letoni, Lituani, Poloni dhe Rumani.
Ai tha gjithashtu se do të autorizonte “aftësi shtesë të forcave të SHBA-ve” të dërgoheshin në Gjermani si pjesë e përgjigjes së NATO-s, duke përfshirë disa forca që ishin vendosur në gatishmëri disa javë më parë.
“Kjo njësi do të përbëhet nga një ekip luftarak i brigadës së blinduar me aftësi dhe mundësi shoqëruese. Ata do të vendosen në Gjermani për të siguruar aleatët e NATO-s, për të penguar agresionin rus dhe për të qenë të përgatitur për të mbështetur një sërë kërkesash në rajon. Presim që ata të largohen në ditët në vijim”, tha zyrtari i Pentagonit.