Zvicra ka mundur Serbinë 3-2 në ndeshjen e fundit në fazën e grupeve, duke e eliminuar nga Kupa e Botës. Ndërsa helvetët kanë siguruar biletën për në raundin e të 16-ve.
Shqiptaro-zvicerani, Xherdan Shaqiri hapi serinë e golave të ndeshjes në minutën e 20. 31—vjeçari e vazhdoi aty ku e la në Botërorin e 2018.
Mirëpo, serbët do të shënonin dy herë brenda pjesës së parë duke arritur të përmbysnin takimin. Fillimisht në minutën e 26 me Aleksandar Mitrovic dhe nëntë minuta më vonë me Dusan Vlahovic.
Atëherë kur pjesa e parë po shkonte drejt fundit të saj, Breel Embolo arriti ta dërgonte topin në rrjetë, duke i çuar shifrat në 2-2 dhe i dërgoi skuadrat në dhomat e zhveshjes në barazim.
Zvicra do të shënonte golin që do i jepte fitoren vetëm tre minuta pasi do të fillonte pjesa e dytë me Remo Freuler. Një aksion model nga ana e zviceranëve në këtë rast, i cili filloi me një pasim të bukur nga Shaqiri dhe u ndoq me një asistim të “jashtëzakonshëm” me thembër nga Ruben Vargas.
Në minutat e fundit të ndeshjes pati dhe një përplasje mes Granit Xhakës dhe disa lojtarëve të kombëtares serbe.
Sherri nis fillimisht mes mesfushorit të Arsenal-it dhe Nikola Milenkovic-it, teksa më pas drejt Xhakës u dyndën lojtarët e tjerë serb.
Me golin e shënuar, Shaqiri arriti disa statistika interesante me kombëtaren. Ai tashmë bëhet një nga tre lojtarët që kanë shënuar të paktën një gol në tre Kupat e fundit të Botës, së bashku me Lionel Messi-n dhe Cristiano Ronaldo-n.
Gjithashtu Shaqiri (4) është vetëm dy gola larg për të barazuar rekordin e Sepp Huegi (6) si golashënuesi më i mirë i Zvicrës në historinë e Kupës së Botës.
Notat e lojtarëve, Serbi – Zvicër:
Sipas vlerësimeve nga “Whoscored”, Embolo (7.2), Shaqiri (7.1) dhe Xhaka (7) ishin tre lojtarët më të mirë të ndeshjes për kombëtaren e Zvicrës.
Ndërsa “Sofasocre”, Xhaka është lojtari me paraqitjen më të mirë te Zvicra, i vlerësuar me notën 7.1.
Renditja përfundimtare e Grupit G
Ndeshja tjetër e këtij grupi mes Kamerunit dhe Brazilit përfundoi me fitoren 1-0 të skuadrës afrikane.
Pavarësisht humbjes, Brazili e mbyll fushatën e fazës së grupeve në vendin e parë me gjashtë pikë dhe një golavarazh +2. Zvicra renditet e dyta po me gjashtë pikë, por me një golavarazh +1.
Kameruni e mbyll në vendin e tretë me katër pikë. Ndërsa, Serbia renditet e fundit me vetëm një pikë.
Raundi i të 16-ve
Tashmë janë mësuar të gjitha çiftet e raundit të 16-ve në Kupën e Botës, Katar 2022.
Brazili dhe Zvicra ishin dy kombëtaret e fundit që kaluan në këtë raund. Ato do të ndeshen, përkatësisht Brazili me Koren e Jugut dhe Zvicra me Portugalinë.
Më herët janë përcaktuar çiftet:
A
Holandë – SHBA
Argjentinë – Australi
Japoni – Kroaci
Kore e Jugut – Brazil
B
Angli –Senegal
Francë – Poloni
Marok – Spanjë
Zvicër – Portugali