Kampionati ukrainas rinis më 23 gusht dhe do të zhvillohet në territorin brenda vendit. Por në këtë moment vëmendjen e ka marrë eksodi i lojtarëve të huaj nga klubet ukrainase, që kanë humbur jo pak. Për këtë arsye, Shakhtar Donjetsk ka dalë kundër FIFA-s.
Qeveria e futbollit botëror, duke vlerësuar gjendjen e rënduar nga konflikti, më 21 qershoi u dha të drejtë të huajve që luanin në Ukrainë të ndërprisnin kontratën deri më 30 qershor 2023.
Klubet ukrainase, pas kësaj mase, kishin vetëm një javë kohë për të shitur lojtarët në fjalë, kështu që humbën shumë ekonomikisht. Më shumë u dëmtua Shakhtar Donjetsk, që ka reaguar së fundi.
Klubi më i mirë ukrainas i është drejtuar FIFA-s me një letër, ku denoncon një humbje prej 50 milionësh dhe rrjedhimisht kërkon një rimbursim. Si u arrit në këtë pikë? E thjeshtë, me kontrata të ngrira të lojtarëve të huaj, klubet e interesuara vepruan me dinakëri.
Shumë preferuan të presin skadencën e kontratës të vitit tjetër për të evituar kostot e transferimit nga klubet ukrainase. Këta të fundit, në shumicën e rasteve, nuk mundën të kompletonin shitjet e të huajve brenda javës së akorduar nga FIFA.
Koha ishte shumë e shkurtër dhe, sipas klubit të Shakhtarit, e papranueshme. Ky klub nxitoi të shiste 14 të huajt që kishte në skuadër, por nuk ia doli të gjente akorde ekonomike për 4 prej tyre. Në letrën dërguar FIFA-s, klubi ukrainas ankohet për një humbje rreth 50 milionë euro.
Administratori i klubit, Sergej Palkin, është shprehur: “Për shkak të këtij vendimi, dështoi shitja e Solomon te Fulhemi. Kishim konkorduar gjithçka, por kur FIFA mori atë vendim, ata u tërhoqën nga pagesa. Nuk mund të bëjmë asgjë.
Si mund të gjenim akorde për një javë për 14 lojtarë? Kur ke të bësh me klube, lojtarë dhe agjentë, teknikisht dhe fizikisht nuk është e mundur të bëhet kjo gjë në një javë. Është qesharake.
Kur FIFA mori vendimin, për dy ditë kemi humbur akorde direkt me vlerë minamale 26 milionë euro. Të gjithë klubet kanë thënë: ‘Faleminderit FIFA, po na ndihmon, po i marrim këta lojtarë falas’.
Lexova se FIFA thoshte se kishte komunikuar më të gjitha palët e interesuara. Nuk është e vërtetë. Nuk kanë komunikuar me federatën tonë dhe me klubet. Si ka mundësi që FIFA, që thotë “jemi familja e futbollit”, nuk na kushtoi fare vëmendje?”