Arritja e një qëllimi është e ndërlikuar por të konfirmosh se je më e mira është edhe më shumë.
Këtë të fundit e ka arritur nxënësja me origjinë shqiptare Samantha Gjeci, 17-vjecarja e cila për të dytin vit rresh ka arritur ti marrë të gjitha lëndët me vlerësimin maksimal, duke u bërë shembull për të tjerët.
Mediat italiane kanë shkruar për të, duke thënë se Samantha po u kthen mundin familjes së saj duke u bërë më e mira në shkollën e saj.
“Siç ndodhi qershorin e kaluar, mendimet e saj ishin tek familja dhe sakrificat e tyre”, shkruan Il Gazzettino.
“Prindërit e mi më mbështesin dhe janë shumë krenarë. Para 30 vitesh babai im erdhi në Itali nga Shqipëria dhe e di shumë mirë sa sakrifica ka bërë për mua”, thotë Samantha për Il Gazzettino.
Asaj i pëlqen të studiojë por nuk i pëlqen ta imagjinojnë si një vajzë që rri gjithmonë mbi libra.
“Studimi është një pjesë e rëndësishme e jetës sime por jo çdo gjë e lidh me këtë. Unë gjej edhe kohën për pasionet e mia: më pëlqen të lexoj, të dal me miqtë, të takohem me kushërinjtë dhe familjen time e kështu me radhë. Edhe me shokët e klasës kam një marrëdhënie të mirë”, shton ajo.
Samantha në vitin 2022 ka kryer një praktikë në sektorin e ndërtimit të Bashkisë Treviso.
“Ishte një përvojë pozitive ku krijova një marrëdhënie të mirë me stafin”.
Samantha ka treguar se ndërkohë që pret të nisë vitin e fundit të gjimnazit, ka menduar edhe se çfarë drejtimi do të marrë për të ardhmen.
“Para disa kohësh isha pak më e pasigurt, por tani jam e bindur se dua të ndjek një fakultet në fushën e inxhinierisë”.