Zyrtarët ukrainas thanë të premten se flamujt ukrainas po valviteshin “në masë dhe kudo”, në vazhdën e tërheqjes së Rusisë nga rajoni jugor i Khersonit, një nga katër rajonet në Ukrainë që presidenti rus Vladimir Putin i aneksoi në shtator.
Ofensiva disamujore e Ukrainës për të rimarrë qytetin e Khersonit, i vetmi kryeqytet provincial që ka qenë nën kontrollin rus që në ditët e para të pushtimit, po arrin kulmin. Rënia e qytetit do t’i sillte një tjetër poshtërim Moskës pas një vargu humbjesh në fushëbetejë dhe pengesash të tjera.
Ja një vështrim se çfarë po ndodh dhe pse Khersoni është një qytet kaq i rëndësishëm për të dyja palët.
PSE QYTETI KA KAQ SHUMË RËNDËSI?
Khersoni, i cili kishte një popullsi prej 280,000 banorësh paraluftës, është i vetmi kryeqytet rajonal që u kap nga forcat ruse. Qyteti dhe zonat përreth ranë në duart e Moskës në ditët e para të luftës, ndërsa trupat ruse i dhanë shtytje shpejt sulmit të tyre në veri nga Gadishulli i Krimesë – rajoni i aneksuar ilegalisht nga Kremlini në 2014.
Humbja e tij ishte një goditje e madhe për Ukrainën për shkak të vendndodhjes në lumin Dnieper pranë grykëderdhjes së Detit të Zi dhe rolit të qytetit si një qendër e madhe industriale. Qysh atëherë, luftëtarët e rezistencës ukrainase kanë sfiduar trupat ruse për kontrollin e qytetit, me akte sabotazhi dhe vrasje të zyrtarëve të caktuar nga Moska.
Khersoni ndodhet gjithashtu në një pikë ku Ukraina mund të ndërpresë ujin e pijshëm nga lumi Dnieper në Krime. Kievi i bllokoi këto furnizime jetike pas aneksimit të gadishullit të Krimesë dhe Putini përmendi nevojën për t’i rikthyer ato si një arsye prapa vendimit të tij për të pushtuar Ukrainën.
ÇFARË PO NDODH TANI?
Sipas Institutit për Studimin e Luftës, një medium me bazë në Uashington, në 24 orët e fundit, trupat ukrainase kanë fituar epërsi në veriperëndim, perëndim dhe verilindje të qytetit të Khersonit, duke përparuar deri në 7 kilometra në disa zona.
“Rusët kanë lëvizur në pozicione që shpresojnë se do të jenë më të lehta për t’u mbrojtur. Ukraina do të duhet të vendosë nëse, kur dhe si do të vazhdojë sprapsjen e forcave ruse”, tha Olga Oliker, drejtore për Evropën dhe Azinë Qendrore në Grupin Ndërkombëtar të Krizave. “Por Ukraina po merr përsëri kontroll… dhe ky është një lajm shumë i mirë për Mykolaiv-in, të cilin Rusia tani do ta ketë shumë më të vështirë ta bombardojë. Është një përparim i rëndësishëm për Ukrainën”.
ÇFARË KANË GJETUR TRUPA UKRAINASE?
Zyrtari rajonal i Khersonit, i emëruar nga Ukraina, Serhii Khlan tha se ndërsa Rusia tërhoqi trupat e saj nga bregu perëndimor i lumit që ndan rajonin, ata kanë lënë rrënojat pas, duke shkatërruar infrastrukturën kryesore, përfshirë objektet e energjisë dhe urat.
“Gjithçka do të duhet të rindërtohet,” tha ai të premten në një konferencë përmes videos. “Ndërsa po largoheshin, ata po hidhnin në erë gjithçka, gjithçka që mund të pengonte përparimin ukrainas.
Zoti Khlan këshilloi civilët të qëndronin në shtëpi dhe tha se situata humanitare ishte vërtet e ndërlikuar, me furnizimin e ndërprerëvme energji elektrike dhe komunikime shumë të kufizuara.
ÇFARË THOTË KREMLINI?
Kremlini mbeti sfidues të premten, duke këmbëngulur se zhvillimet në fushën e betejës në rajonin e Khersonit nuk përfaqësonin në asnjë mënyrë një siklet për Putinin.
Nga frika e një kundërsulmi kaq të madh ukrainas, administrata rajonale e instaluar nga Kremlini në Kherson thuhet se zhvendosi të paktën 70,000 banorë në fillim të këtij muaji.
ÇFARË DO TË THOTË HUMBJA E KHERSONIT PËR RUSIIN?
Një tërheqje nga Khersoni dhe zona të tjera në bregun perëndimor të Dnieper-it do të shkatërronte shpresat ruse për të shtyrë një ofensivë në perëndim në Mykolaiv dhe Odesa për të ndërprerë qasjen e Ukrainës në Detin e Zi. Moska kishte shpresuar gjithashtu të ndërtonte një korridor tokësor në rajonin separatist të Transnistrias në Moldavi, qendra e një baze të madhe ushtarake ruse.
“Humbja e Khersonit do t’i kthejë në pluhur, të gjitha ëndrrat e Kremlinit në jug ” tha analisti ushtarak ukrainas Oleh Zhdanov. “Khersoni është një çelës për të gjithë rajonin jugor, i cili do të lejonte Ukrainën të synonte rrugët kryesore të furnizimit për forcat ruse. Rusët do të përpiqen të mbajnë kontrollin e tij duke përdorur të gjitha mjetet”.
ÇFARË DO TË THOTË RIMARRJA E KHERSONIT PËR UKRAINËN?
Për Ukrainën, rimarrja e Khersonit do të krijonte terrenin për rimarrjen e pjesës së pushtuar nga Rusia të rajonit të Zaporizhias dhe zonave të tjera në jug, dhe përfundimisht do të shtynte një ofensivë në Krime.
Rimarrja e kontrollit të Khersonit do të nënkuptonte gjithashtu se Kievi mund të ndërpresë përsëri ujin për Krimenë.
“Pas çlirimit të Khersonit, rusët do të kenë sërish probleme me ujin e pijshëm në Krime”, shtoi zoti Zhdanov.
ÇFARË DO TË MENDOJË KINA?
Volodymyr Fesenko, kreu i institutit të pavarur Penta Center me bazë në Kiev, vuri në dukje se kontrolli i rajonit Kherson dhe zonave të tjera jugore ishte një çmim i madh për Rusinë dhe humbja e tyre do të kishte pasoja të dhimbshme për Putinin brenda dhe jashtë vendit.
“Nëse rusët largohen nga Khersoni, Kremlini do të përballet me një valë tjetër kritikash të ashpra ndaj komandës ushtarake dhe autoriteteve në përgjithësi nga qarqet ultra-patriotike,” tha zoti Fesenko, duke shtuar se rënia e qytetit do të demoralizonte më tej forcat e armatosura ruse dhe ndoshta nxisin kundërshtimin ndaj përpjekjeve të mobilizimit.
Ai tha gjithashtu se Kina dhe India do ta shihnin rënien e Khersonit si një shenjë të dobësisë së Kremlinit.
“Putini do të përballet me humbje të reputacionit jo vetëm brenda vendit, por edhe në sytë e Kinës, dhe kjo mund të jetë veçanërisht e rrezikshme për Kremlinin”, tha zoti Fesenko. (VOA)