Zyrtarët e ushtrisë ruse deklaruan se disa nga trupat e tyre pritet të kthehen në baza.
Kjo, pasi një numër stërvitjesh ushtarake me Bjellorusinë kanë përfunduar.
Moska zyrtare ka grumbulluar mbi 130 mijë trupa pranë kufijve ukrainas.
Disa trupa në rrethet ushtarake të Rusisë ngjitur me Ukrainën po kthehen në baza pas përfundimit të stërvitjeve.
Të paktën, këtë citon njoftimi i Ministrisë ruse së Mbrojtjes.
Agjencia ruse e lajmeve “Interfax” nënvizoi qëndrimin zyrtar të ministrisë se stërvitjet vazhdojnë ende në shkallë të gjerë në të gjithë vendin.
Pra, janë vetëm disa njësi të distrikteve ushtarake jugore dhe perëndimore, të cilat kanë përfunduar stërvitjet e tyre dhe kanë filluar të kthehen në baza.
Rusia ka nxitur frikën e një pushtimi të mundshëm, veçanërisht pas stërvitjeve të përbashkëta të Moskës me Bjellorusinë.
Më herët, ishte kryediplomati rus Sergei Lavrov, i cili këshilloi presidentin rus Vladimir Putin që të vijojë bisedimet me Perëndimin.
Kjo, lidhur me kërkesat e sigurisë së Moskës.
Kremlin-i kërkon garanci nga Perëndimi se NATO nuk do të lejojë Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike të bashkohen si anëtarë.
Ndër të tjera, aleanca duhet të ndalojë dislokimet e armëve në Ukrainë dhe të tërheqë forcat e saj nga Evropa Lindore.
Këto kërkesa janë refuzuar kategorikisht nga Perëndimi.
Kievi këkon prova të forta
Ndërsa Kievi zyrtar, nga ana tjetër tregohet skeptik dhe kërkon prova të forta të tërheqjes së trupave ushtarake ruse nga kufiri.
“Rusia vazhdimisht bën deklarata. Kjo është arsyeja pse ne kemi një rregull që të mos besojmë deklaratat kur i dëgjojmë, por të besojmë kur t’i shohim. Kur të shohim tërheqjen e trupave ruse, do të besojmë në uljen e përshkallëzimit”, – tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
Edhe Britania e Madhe skeptike
Në pamje të parë ky ishte një mesazh i mirëpritur nga të gjitha kancelaritë perëndimore, megjithatë fillimisht britanikët dhe më pas vetë ukrainasit janë shprehur skeptikë për diçka të tillë.
Ministrja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss tha se do ta besonin se Rusia nuk ka qëllime pushtimi ndaj Ukrainës pasi të gjitha trupat të ishin tërhequr prej kufirit.
“Rusët kanë pohuar se nuk kanë plane për një pushtim të Ukrainës, por ne do të duhet të shohim një largim të plotë të trupave për të treguar se kjo është e vërtetë”, tha ajo për radion LBC këtë mëngjes.
Kur u pyet në lidhje me raportet e mediave se disa trupa ruse po ktheheshin në baza nga zona kufitare, Truss tha se duhej të shihte më shumë detaje për të kuptuar dimensionin e vërtetë të këtij veprimi.