Ka shumë arsye që këto ditë të kemi hamendje nëse presidenti rus, Vladimir Putin, dhe miqtë e tij janë çmendur. Por një memorandum që ka rrjedhur rishtazi nga Kremlini, zbulon se ata që janë në pushtet në qeverinë ruse, janë edhe më thellë në gropën e lepurit sesa shumica nga ne kemi kuptuar.
Lauren Wolfe
Memorandumi, i publikuar nga “Insider”-i, faqe ruse e lajmeve në ekzil, vë në pah se si Shërbimi Mbrojtës Federal i Rusisë (FSO), i cili i mbron zyrtarët e rangut të lartë si Putini, do ta trajtonte pushtimin e Ukrainës – ose çfarëdo lufte tjetër – që të mos përhapej edhe në vetë territorin rus. Ky institucion përqendrohet në përgatitjen psikologjike, duke u siguruar që zyrtarët e FSO-së do ta kenë “përkrahjen morale dhe psikologjike” që nevojitet për t’i rezistuar atij që në memorandum quhet “sulm masiv ideologjik” potencial. Por rusët nuk janë thjesht të brengosur për propagandën e zakonshme në kohë lufte, si transmetime tinëzare në radio ose gazetat e nëntokës. Në vend të tyre, Kremlini po i shton përgatitjet për atë që e quan “infektim psikologjik të personelit” nga një armik që do t’i manipulonte ata përmes hipnozës – si dhe përmes fuqive të panjohura mistike e psikike. Memorandumi paralajmëron për “krijuesit psikikë” dhe “aftësitë hipnotike” të përdorura nga personeli i huaj.
Besimi në fuqi mistike është relativisht i rëndomtë në Rusi, ku rreth 20 për qind e njerëzve kanë vizituar një hipnotizues dhe më shumë se 60 për qind besojnë në ndonjë formë të magjisë. Natalia Antonova, shkrimtare që jeton në Uashington dhe eksperte e Rusisë, që ka raportuar shtatë vjet nga Moska, tha: “Kjo çështja e hipnozës dhe e telekinezës, çfarëdo që ata po mundohen të bëjnë, mendoj se rusët vërtet besojnë në të. Shumica nga ne ende po mundohemi që të ekzistojmë në botën reale dhe [udhëheqësia ruse] jo. Ata nuk po përpiqen më.”
Frika të tilla mund të vendosen në majë. Ka pasur thashetheme për një kohë të gjatë se udhëheqësit rusë, përfshirë Putinin, besojnë në misticizëm, astrologji, numerologji dhe hipnotizues – si dhe në bindjen se pushteti i tyre në një Rusi më të madhe është i paracaktuar. Që në vitin 1988, gazeta “The New York Times” kishte raportuar se “[h]oroskopet, mjekësia popullore, shërimi me hipnozë dhe të gjitha mënyrat e misticizmit zënë një vend të rëndësishëm në shoqërinë sovjetike, pjesërisht besim, pjesërisht trill, por jo shaka.”
Misticizmi bashkohet me besimet më tradicionale të ortodoksëve rusë për skenarët e apokalipsit dhe ndikimit satanik. Në një ceremoni të mbajtur në shtator për aneksimin e disa pjesëve të Ukrainës, Putini përshkroi se si “vetë shtypja e lirisë [nga Perëndimi] i ka marrë veçoritë e një religjioni: satanizëm i plotë.” Pastaj, në tetor, qeveria ruse e ndryshoi justifikimin e vet për luftën, duke pretenduar se ka një urgjencë morale “për ta bërë de-satanizimin e Ukrainës”. Përderisa gjuha e satanizmit nganjëherë përdoret thjesht si retorikë e ekzagjerimit, nganjëherë e ka për qëllim kuptimin e fjalëpërfjalshëm. Idetë konservatore ortodokse ruse të luftës shpirtërore, në të cilat Perëndimi paraqitet në mënyrë të fjalëpërfjalshme djallëzor, janë vendosur në vetë fjalorin e shtetit rus – dhe janë përzier me entuziazmin e vendit për pseudoshkencën psikike.
Megjithatë, s’është për t’u brengosur. Memorandumi tregonte se si FSO-ja planifikon që ta shmangë këtë lloj të sulmit psikik. Në mesin e taktikave përfshihet fuqizimi i oficerëve në aspektin psikik duke u treguar atyre rrëfime për trimërinë dhe heroizmin e kolegëve të tyre. Një mënyrë tjetër e luftimit të infeksionit psikologjik përfshin ofrimin e shëtitjeve për oficerët në Hollin e Famës dhe të Historisë dhe vizitat në Katedralen e Zonjës Sonë të Kazanit në Moskë – duke supozuar për ta larguar djallin. Do të jetë edhe një lloj sistemi i shoqërimit: “Është e nevojshme që oficerët më të shkathët politikisht të FSO-së të lidhen me ata që janë më së paku të qëndrueshëm”- thuhet në memorandum. Ose, si paralajmërim, mund të jetë e nevojshme që oficerët psikilogjikisht të brishtë, që vuajnë nga “jostabilitetit neuropsikiatrik” të angazhohen në një spital në këto kohë të rrezikshme në mënyrë misterioze. Shqetësimet për psikologjinë dhe moralin e oficerëve – me rëndësi kritike në një luftë që po humbet – janë kombinuar me shqetësimet më të brendshme si sulmet psikike.
Shteti sovjetik dhe pasardhësi i tij kanë eksperimentuar me kontrollimin e mendjes (siç kanë bërë Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës së Ftohtë, duke përdorur një projekt të fshehtë psikik të vetin). Një memorandum i klasifikuar më 2019 tregonte se si, në vitet tetëdhjetë, shkencëtarët i kishin hetuar perceptimin jashtëshqisor (ESP) dhe aftësitë e tjera mistike. Dhe më 2019, një revistë ushtarake ruse deklaroi se ushtarët rusë kanë fuqi të mbinatyrshme psikike dhe se i kanë përdorur ato më parë. Ushtarët gjoja kishin mësuar se si të lexonin mendime nga delfinët telepatikë. Por nuk është i tëri kontroll i mendjes me shkëmbim topash. Autori i artikullit, kolonel ushtrie, shkroi se ushtarët telepatikë janë të aftë edhe për t’i bllokuar sinjalet e komunikimit dhe për t’i prishur kompjuterët me mendimet e tyre.
Në garën jonormale të armëve në Luftën e Ftohtë, asnjë “armë” psikike nuk ishte tepër e çuditshme për t’u shqyrtuar – përderisa çfarëdo që shkencëtarët po provonin nuk tingëllonte sikur ishte e ngjitur me të padukshmen.
Gazetarja hulumtuese, Annie Jacobsen, shkroi në një libër të vitit 2017: “Nomenklatura sovjetike për ESP-në është rishkruar për të tingëlluar teknike, duke i shkëputur kështu të gjitha lidhjet me të kaluarën mistike të ESP-së.” Telepatia? Është riemërtuar “transmisione të sistemeve biologjike me largësi të madhe”. Psikokineza? Lëvizja e objekteve vetëm duke menduar për to është emërtuar “rrezatime jojonike, posaçërisht elektromagnetike, nga njerëzit”.
Memorandumi i zbuluar i FSO-së shpjegon se zëvendësdrejtori i FSO-së, Gjeneral Alexander Komov, është përgjegjës për zbatimin përfundimtar të planit sekret për parandalimin e një sulmi psikik, nëse do të jetë e nevojshme. Komovi është pjesërisht me mendje shkence, pjesërisht i çuditshëm. Ai mori pjesë në një konference të organizuar vitin e kaluar nga Instituti për Hulumtimin e Hapësirës i Akademisë së Shkencave në Rusi për mundësinë e spiunimit të Tokës nga hapësira. Ai, gjithashtu, mësa duket, udhëheq një grup të këshilltarëve të lirë, ku përfshihen astrologë, magjistarë të magjisë së zezë dhe hipnotizues.
Sipas memorandumit të zbuluar, në mesin e strategjive të tjera për të cilat rusët besojnë se armiku mund t’i përdorë, përfshihen “lojërat psiko-korrektuese”, “psikoviruset kompjuterike” dhe ndikimi psikologjik “kimik e biologjik”. Psiko-korrektimi, aq mirë sa di të tregoj unë, është një pseudoshkencë që ka për qëllim që ta “korrektojë” zhvillimin e fëmijëve të vegjël, shpesh duke përdorur lodra, dhe mund ta përfshirë psikologjinë eksperimentale. Dobia e tij për zyrtarët që janë në shënjestrën e hipnotizuesve të huaj, është e diskutueshme. “Insider”-i thekson se mundësia e “viruseve psikologjike kompjuterike”, çfarëdo qofshin ato, ka pak gjasë që ta prekë Kremlinin, sepse oficerët e kanë të ndaluar që të përdorin telefona celularë ose tabletë gjatë ushtrimit të detyrës.
Pushtimi fillestar i Ukrainës është përkrahur me fuqi të prekshme: me një ushtri prej gati 200 mijë burrash të shoqëruar me artileri, tanke e fuqi ajrore serioze. Ekspertët rusë u mburrën për një fitore të lehtë. Kjo u shkërmoq përballë rezistencës ukrainase, dhe një mobilizim masiv me panik bëri pak për ta ndryshuar rrjedhën e dështimit. Kjo mund të jetë duke i kontribuuar atmosferës së fantazisë. “Me të gjitha këto lajthitje që janë qelbëzuar me vite, kur ata ballafaqohen me realitetin e ftohtë e të vështirë që nuk mund të fitojnë në Ukrainë, fillojnë që të thyhen mendërisht”- tha Antonova.
Lauren Wolfe është gazetare. Ky opinion është publikuar në revist “Foreign Policy”.