Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Rusia dhe Bjellorusia në një thes – NATO i dënon forcërisht në agresionin ndaj Ukrainës

Krerët e 30 shteteve aleate të NATO-s e kanë dënuar forcërisht agresionin rus ndaj Ukrainës, por ajo çfarë më shumë bie në vëmendje, është fakti se përgjegjëse, do të mbahet nga grupimi më i fuqishëm ushtarak në botë, edhe Bjellorusia.

Sanksionet shumë të ashpra ekonomike, do të aplikohen si për Moskën, ashtu edhe për Minskun, në bazë të deklaratës së përbashkët, e cila u publikua pas takimit të përfaqësuesve të vendeve në samit.

“Mbetemi të përkushtuar në ushtrimin e një presioni të fortë ndaj Rusisë, që kësaj lufte t’i vijë fundi”, vijon deklarata.

Nga ana tjetër, i është kërkuar të gjithë vendeve perëndimore, por edhe fuqive botërore si Kina, që të ndihmojnë në stabilizimin e paqes në Ukrainë dhe në rikthimin e Rusisë në binarë.

Thirrja është e qartë edhe ndaj Alexander Lukashenkos dhe regjimit të tij në Bjellorusi, që të tërhiqet nga mbështetja që po i jep Vladimir Putinit në mësymjen që po kryen në Ukrainë.

Sa i përket vetë agresionit faktik dhe procesit të negociatave, Rusia duhet të tregojë menjëherë dëshirën për të implementuar armëpushimin.

Kërkesat parësore janë ato për hapjen e rrugëve humanitare në Mariupol, qytet i cili është i rrethuar prej javësh nga forcat ruse dhe ndodhet në një krizë të thellë, për shkak të mungesës së ushqimeve, ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike.

Puna do të vijojë në këtë kohë edhe me gjithë aleatët, për të ndihmuar Ukrainën si ushtarakisht, ashtu edhe në ndihma humanitare.

Vetë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e mori përsipër faktin se u është dhënë ndihmë ukrainasve në luftimin që po i bëjnë Ushtrisë ruse.

Solidariteti me presidentin Volodymyr Zelensky, është po aq i madh sa edhe ditët e para. Po aq, sa është edhe mbështetja për rezistencën e qytetarëve ukrainas.

Rreth 40 mijë trupa ndërkohë, janë vënë në gatishmëri nga NATO në pjesën e Evropës Lindore, për t’i bërë ballë një avancimi të mëtejshëm rus nëse ndodh. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me forcat detare dhe ato ajrore, prania e të cilave është shtuar në lindje të kontinentit të vjetër.

Në përmbyllje, mesazhi ka qenë i njëjtë: Aleanca do të bëjë gjithçka, për të mbrojtur anëtarët dhe sigurinë e tyre.

LAJME TË TJERA >>