Në Mal të Zi kanë përfunduar votimet për zgjedhjet parlametare dhe sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CeMI), lëvizja centriste “Evropa Tani”, ka fituar 25.2 për qind të votave (23 mandate), bazuar në mbi 70 për qind të mostrave të përpunuara.
Koalicioni “Së bashku” i udhëhequr nga Partia e Demokratike Socialistëve, Socialdemokratët, Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve dhe Partia Liberale ka fituar 22.3 për qind të votave (21 mandate), kurse koaliconi “Për të ardhmen e Malit të Zi” i udhëhequr nga Demokracia e Re Serbe 14,9 për qind (13 mandate).
Koalicoi “Guximi numërohet” i udhëhequr nga Demokratët e Aleksa Beçiçit dhe Lëvizja Qytetare URA e Dritan Abazoviçit ka arritur të fitojë rreth 12,5 për qind (11 mandate), sipas rezultateve preliminare të publikuara nga CeMI.
Nga 81 vende deputetësh nga sa numëron Kuvendi i Malit të Zi, fatin e tyre në zgjedhje e provuan edhe dy lista të shqiptarëve. Forumi Shqiptar ka arritur të fitojë rreth 2 për qind të votave (2 mandate), ndërsa Aleanca për Shqiptarët ka fituar rreth 1.3 për qind (1 mandat).
Sondazhet dhe analistët kanë parashikuar se “Evropa Tani” që drejtohet nga eksperti financiar Milojko Spajiç dhe presidenti aktual, Jakov Milatoviç, me shumë gjasë do të dalë e para, por pa ulëset e mjaftueshme në kuvend për ta formuar e vetme ekzekutivin malazez.
Më shumë se 542 mijë qytetarë kanë pasur të drejtë të zgjedhin mes 15 partive dhe kandidatëve prej grupeve pro-perëndimore e deri te ato pro-serbe dhe pro-ruse, ndërsa këto zgjedhje ishin të parat në më shumë se 30 vjet, në të cilat nuk mori pjesë Milo Gjukanoviç. Zgjedhjet e fundit u mbajtën më 30 gusht të vitit 2020.