Interi parakalon Milanin. Për herë të parë që kur është krijuar renditja speciale historike nga UEFA (që nga vitit 2018), zikaltrit kanë lënë pas kuqezinjtë. Bëhet fjalë për një renditje historike 10-vjeçare, që organi që qeveris futbollin europian e përdor për të përcaktuar shpërndarjen e një pjese të shpërblimeve për klubet që marrin pjesë në kompeticionet e tij.
Sipas “CalcioFinanza”, Interi mban vendin e 26-të në këtë renditje, kurse Milani vendin e 27-të. Kuqezinjtë, që nga futja e këtij klasifikimi e deri sezonin e kaluar, gjithmonë kanë qenë përpara kushërinjve të tyre.
Klasifikimi bëhet sipas rezultateve në Kupat e Europës gjatë 10 viteve të fundit, duke përcaktuar një pikëzim për çdo sezon, të cilit i shtohen detaje të veçanta, si ‘Title Points’, që llogaritet në bazë të numrit të trofeve të fituar nga klubet në Europë gjatë historisë së tyre (Milani ka 42 dhe Interi 21).
Pikëzimi total përcakton klasifikimin dhe përdoret për shpërndarjen e një pjese të burimeve ndaj klubeve. Për shembull, në bazë të renditjes 2020/21, Reali që mban vendin e parë, ka arkëtuar 36.4 milionë euro nga edicioni i fundit i Ligës së Kampionëve, kurse Sherif Tiraspol, i fundit në renditje mes skudrave që bënin pjesë në grupe këtë vit, ka arkëtuar pak më shumë se 1 milion euro.
10 vendet e para të renditjes historike
Real Madrid – 355 pikë
Bajern Mynih – 316
Barcelona – 280
Juventus – 249
Çelsi – 235
Atletiko Madrid – 230
PSG – 229
Mançester Siti – 212
Mançester Junajtid – 207
Liverpul – 205