Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Rëndësia e futbollit në raportet Iran-SHBA

Mendrit Shehu- Kanë kaluar 41 vjet qëkur SHBA-ja dhe Irani i ndërprenë marrëdhëniet diplomatike, një lëvizje që erdhi disa muaj pasi Irani mori Ambasadën amerikane në Teheran më 4 nëntor të vitit 1979 dhe duke shkaktuar atë që u bë një krizë 444-ditore me pengje. Është ende disi e rrallë që SHBA-ja dhe Irani – kombe që nuk kanë pasur marrëdhënie diplomatike për më shumë se katër dekada – të përballen në aktivitetet sportive.

Shorti i hedhur në Doha ka përcaktuar 8 grupet e Botërorit të Katarit, që starton më 21 nëntor dhe mbyllet më 18 dhjetor. Ky është Botërori i parë që luhet në dimër dhe i fundit me 32 skuadra pjesëmarrëse. Shorti prodhoi grupe kryesisht të ekuilibruara. Por grupi më interesant ishte ai B, ku Angli u shortua me Amerikën, Iranin dhe fituesin e ndeshjes Uells-Skoci/Ukrainë.

Rëndësia e futbollit në raportet Iran-SHBA

Simon Kuper shkroi se futbolli “është një lojë, por edhe një fenomen shoqëror, sepse kur miliarda njerëz shqetësohen për një lojë, ajo pushon së qenuri vetëm një lojë”. Historia na ka treguar që gjatë shekullit të kaluar futbolli, krahas sporteve të tjera, është bërë një ndërmjetës diplomatik ose sidoqoftë  është përdorur si mjet i propagandës politike nga qeveria e radhës. Shembujt e parë datojnë në kohën e Musolinit dhe Hitlerit, të cilët përkatësisht organizuan dy ngjarje më të rëndësishme sportive: Kupën e Botës në 1934 dhe Lojërat Olimpike të vitit 1936. Më pas, një rast i përsosur se si sporti arriti të hyjë në botën politike ishte e ashtuquajtura “diplomaci ping pong”, e cila lejoi shkrirjen e akullit në marrëdhëniet midis SH.B.A.-së dhe Kinës. Ndër pasojat e shumta pozitive që ky fenomen shoqëror ka arritur të sjellë gjatë historisë së saj, mrekullia që ai arriti të realizonte në marrëdhëniet ndërkombëtare daton që nga botërori francez i vitit 1998, dhe kishte Iranin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si protagonistë.

Revolucioni dhe Përfshirja

1 shkurt 1979: pas 15 vjet mërgimi Ruhollah Khomeini kthehet në Iran. Nuk është një kthim normal, por është hapi i dytë themelor për fillimin e revolucionit, i cili është gati të ndryshojë rrënjësisht fytyrën e vendit. E para kishte ndodhur dy javë më parë, kur pas grevave, protestave dhe vdekjeve, Shah Reza Pahlavi u detyrua të largohej nga vendi. Epoka e tij do të mbahet  mend për gatishmërinë e tij për të vazhduar projektin e modernizimit të babait të tij me “revolucionin e bardhë”, një përpjekje për ta bërë Iranin një vend sa më perëndimor, me të drejta më të mëdha sidomos për gratë. Një modernizim që u konsiderua i detyruar nga një pjesë e madhe e popullsisë. Kujtimi i Shahut do të njolloset përgjithmonë nga fakti se ai ishte “njeriu i SHBA”, si dhe nga gabime serioze në politikën ekonomike; korrupsioni i rëndë që karakterizoi aparatin burokratik iranian, i shoqëruar nga rritja e autoritetit të tij ndër vite, ishin shkaqet që përfundimisht çuan në largimin e tij.

Khomeini

Një revolucion, ai që zhvillohet midis viteve 1978-79, i përkufizuar shpesh si islamik, por që ishte para së gjithash popullor. Megjithëse figura kryesore do të konsiderohet gjithmonë ajo e Ajatollah Ruhollah Khomeini, dhe vite para se ai të kthehej në shtëpi,  disa intelektualë dhe disa lëvizje kishin filluar tashmë protestat kundër monarkisë së Pahlavi. Me kalimin e kohës, Shahu kuptoi lehtësinë me të cilën e kishte konsideruar kundërshtimin e brendshëm dhe nuk ishte më në gjendje të siguronte as mbështetjen e superfuqisë botërore amerikane.

Dhe kështu, ndërsa pushteti kaloi në duart e figurës më të dashur të njerëzve, marrëdhëniet me Uashingtonin u ndërprenë përfundimisht. Ngjarja më emblematike e asaj periudhe ishte padyshim marrja e Ambasadës Amerikane në Teheran, e njohur edhe sot si një strehë spiunësh. Operacioni i kryer nga një grup studentësh, të cilët morën peng 55 shtetas amerikanë dhe mbajtën 52 prej tyre për 444 ditë. Një veprim i mbështetur nga Khomeini si një sinjal për Shtetet e Bashkuara, të quajtur “Satani”, dhe një ngjarje thelbësore për marrëdhëniet e ardhshme midis dy Shteteve (si dhe një kujtim ende e vështirë për tu fshirë sot).

Marrja e ambasadës amerikane

Kjo ngjarje është përmendur gjithashtu edhe nga filmi fitues i çmimit Oskar, “Argo”. Një film që tregon historinë e gjashtë qytetarëve amerikanë, të cilët arritën të shpëtojnë nga marrja peng e ambasadës amerikane dhe të strehohen në ambasadën Kanadeze. Vetëm një operacion i fshehtë i lejoi ata të largoheshin nga Irani pa probleme.

Një shikim nga e kaluara është absolutisht e nevojshme për të kuptuar se si Shtetet e Bashkuara dhe Irani arritën në atë që u quajt nëna e të gjitha ndeshjeve (ose në mënyrën më të keqe të mundshme). Para se dyert e Kupës së Botës në Francë të hapeshin për Persianët, ata duhej të luanin play-off kundër Australisë. Të dy vendet nuk e njihnin njëra-tjetrën dhe Australianët stërviten në Dubai. Ndeshja luhet në stadiumin Azadi, që në gjuhën persiane do të thotë liri. Mbaron në barazim 1-1. Ndeshja vendimtare luhet në Melbourne javën tjetër. Për të mbështetur skuadrën e zemrës, biletat janë shitur tërësisht – një situatë e pazakontë për një komb me një traditë të dobët futbolli si Australia – dhe vendasit duket se luajnë pa shumë vështirësi: 1-0 pas 45 minutave të para, Australianët dyfishojnë rezultatin  në minutat e e para të pjesës së dytë.

Festimi pas pas fitores me Australine

Por atëherë kur vendasit dukeshin se ishin në momentin e tyre më të mirë, të lumturuar nga goli i dytë dhe me tifozë entuziastë, ndodh e papritura. Një pushtues i famshëm i ndeshjeve pushton fushën, varet tek traversa dhe këput një pjesë të rrjetës. Personi largohet, por ndeshja ndërpritet. Publiku vazhdon të këndojë me zë të lartë; Komentuesit australianë e përshkruajnë pushimin si një gjë të mirë për vendasit, por askush nuk e kupton se rrjedhja e ndeshjes është gati të ndryshojë plotësisht. Ndërprerja zgjat tre minuta, por kur loja rinis gjithçka ndryshon. Irani shkurton distancën në brenda 30 minutave dhe pas  katër minutave më vonë barazon: 2 me 2 është rezultati  përfundimtar dhe kualifikim historik për iranianët, njëzet vite pas kualifikimit të fundit.

Një popull duke festuar, një gëzim i pamundur për t’u kontrolluar, pavarësisht tentativa të qeverisë për ta kontrolluat. Udhëzimet për ekipin janë të qarta: qëndroni në Melbourne. Heronjtë kthehen në atdheun e tyre pas tre ditësh, në të cilin gjatë këtyre ditëve ishte munduar të qetësohej sado pak entuziazmi i popullit. Në sheshet e Teheranit dhe qytetet kryesore të Iranit, njerëzit festojnë duke vallëzuar dhe duke pirë. Këngët janë perëndimore dhe pijet shpesh janë alkoolike: një situatë që normalisht do të ndalej me forcë, por në këtë rast është e pamundur të ndalohet.

Mes njerëzve që festojnë ka edhe gra, të cilat me krijimin e republikës islamike kishin parë se si roli i tyre zvogëlohej në krahasim me epokën e Pahlavi, gjatë së cilës ata kishin fituar të drejta siç janë arsimimi në universitete, mundësia e të veshurit në mënyrë perëndimore dhe rritja e moshës minimale të martesës, për më tepër edhe kufizimi i  fortë i poligamisë. Sidoqoftë, përfaqësimi i grave në revolucionin islamik ishte masiv.

Me revolucionin Khomeinist, shtrëngimi i të drejtave të grave përqendrohej në të drejtat civile. Dhe protestat e para të grave kundër qeverisë kishin të bënin me topin, dhe ato kërkuan që të kishin mundësinë e hyrjes në stadium për të festuar për heronjtë kombëtar (flitet për një numër që ishte rreth 5000). Një dekadë më parë Khomeini kishte dhënë pëlqimin që gratë të shikonin futboll në televizor; një sport i papëlqyer nga Ayatollah, por i dashur nga populli i tij nga njerëzit e tij. Dhe gratë bënin pjesë tek ai popull: gratë vazhduan protestën, duke arritur deri aty sa maskoheshin si burra për të hyrë në stadiumin Azadi për të parë derbin e Teheranit (Persepolis – Esteghlal) i cili, beri që të dridhej Lindja ”. Por është vetëm fillimi.

“Kur Irani u kualifikua në Kupën e Botës duke mundur Australinë në Melburn, i gjithë vendi festoi. Njerëzit vallëzonin në rrugët e Teheranit duke pirë alkool dhe gratë hoqën shamitë e tyre nga koka. Rojet revolucionare nuk bënë asgjë sepse edhe ata ishin të lumtur. Sepse edhe ata së pari janë tifozë të futbollit, dhe më pas janë roje revolucionarë. ”(Mehrdad Masoudi)

Edhe me kaq do të ishte një kryevepër: kualifikimi dhe mundësia për të garuar me ekipet më të mira në botë mund të konsideroheshin të mjaftueshme, për ta bërë këtë pjesëmarrje një ngjarje për t’u shkruar në librat e historisë. Por fati ka plane të tjera. Për arsye të një barazim, Irani përfundon në grupin F, duke gjetur në këtë grup – përveç Gjermanisë dhe Jugosllavisë – edhe Shtetet e Bashkuara. Pjesëmarrja nuk është më e rëndësishme, sepse tani ekziston mundësia e hakmarrjes ndaj armikut. Shteti që ka mbështetur monarkinë me vite, duke ndërhyrë në politikën e brendshme të një shteti sovran dhe duke mbrojtur një qeveri të korruptuar dhe të urryer nga shumica e qytetarëve, deri në pikën e shkaktimit të kryengritjes popullore. Të dy skuadrat humbën ndeshjen e parë, iranianët 1-0 kundër Jugosllavisë, amerikanët 2-0 kundër gjermanëve.

Ndeshja e dytë e grupit ka të bëjë me ndeshjen historike, dhe kushdo që humbet është automatikisht jashtë. Mënyra e përjetimit të kësaj ndeshjeje është plotësisht e ndryshme në të dy vendet. Nëse shumë lojtarë amerikanë nuk e kanë idenë për vuajtjet e pësuara nga bashkatdhetarët e tyre – në njërin prej shumë shteteve në të cilat SH.B.A. ka luajtur një rol delikat – ose janë shumë të rinj për të kuptuar marrëdhëniet e vështira midis dy vendeve, nga ana tjetër për iranianët kjo lojë është çështje jete ose vdekje. Ashti siç deklaronte  sulmuesi Azizi, lojtari më i mirë në Azi në 1997: “Ne nuk do ta humbim lojën. Shumë familje dëshmorësh presin fitoren tonë. Ne do të fitojmë për të mirën e tyre “.

Mundësia e madhe

Lyon, 21 qershor 1998. Në javë para ndeshjes, televizioni francez transmetoi filmin “Jo pa vajzën time”. Një film që tregon historinë e vërtetë të një gruaje që largohet nga Irani me vajzën e saj, kundër vullnetit të burrit të saj. Një film që e paraqet negativisht Iranin, duke e  portretizuar si shtëpia e fundamentalizmit fetar dhe që natyrisht zemëron iranianët. Duke u kthyer tek  çështjet e drejtkëndëshit të gjelbër, Irani përcaktohet si ekipi mik dhe për këtë arsye lojtarët e ekipit iranian duhej që, përpara fillimit, të shtrëngojnë duart me lojtarët amerikanët, ashtu siç kërkohet nga protokolli. Gjest që nuk merret në konsideratë edhe nga Khamenei, i cili u jep urdhër lojtarëve që të mos lëviznin. Për këtë arsye, Mehrdad Masoudi, zëdhënësi i shtypit i FIFA-s,falë një pune të madhe ndërmjetësimi, arrin të negociojë një kompromis me drejtuesit e Federatës, duke u siguruar që lojtarët amerikanë të vinin tek lojtarët iranian për shtrëngimin e duarve. Por akoma nuk ka përfunduar gjithçka: lajmet e orës së fundit japin se një organizatë terroriste kishte blerë 7,000 bileta për protestuar në transmetim direkt në të gjithë botën kundër regjimit iranian. Këta ishin Muxhahedinët e popullit iranian (Mojahedin-e Khalq), ndër grupimet më aktive kundër qeverisë.

“Ne morëm informacione nga shërbimet sekrete se kush ishin këta sabotatorë. Ne i dhamë fotot e tyre kameramanëve televiziv në mënyrë që ata të dinin se cilët njerëz dhe cilët flamuj duhet të shmangnin. Ndeshja do të transmetohej në të gjithë botën dhe gjëja e fundit që donim ishte që ky grup të sabotonte këtë event dhe ta përdorte atë për qëllimin e tyre politik. “(Mehrdad Masoudi)

Por rreziqet nuk ndalen këtu. Në fakt, ekzistonte mundësia e një pushtimi të fushës. Urdhri i marrë nga forcat franceze të sigurisë është të ndërhyhet vetëm në rast të “domosdoshmërisë ekstreme”. Për më tepër, presidenti i Federatës iraniane u kërkon lojtarëve të tij të paraqiten në fushë me një trëndafil të bardhë, i cili në Iran simbolizon paqen. Një shenjë relaksi dhe një foto grupi që bën xhiron e botës. Arbitri Meier ende nuk ka fishkëllyer fillimin e ndeshjes, por rezultati më i rëndësishëm tashmë është arritur nga të dyja palët. Nga Shtetet e Bashkuara që ka pranuar që lojtarët e saj të shkonin e të shtrëngonin duart me lojtarët iraniane, tek iranianët me gjestin jashtëzakonisht të rëndësishëm të trëndafilave të bardhë.

“Ne kemi ardhur këtu për t’i treguar të gjithëve se nuk ka probleme midis njerëzve të dy vendeve.” (Jalal Talebi, trajneri iranian)

Më në fund u arrit të luhej ndeshja. Janë Shtetet e Bashkuara që menjëherë u bënë të rrezikshme në minutën e tretë të lojës, me një goditje traverse nga një goditje e bukur me kokë nga McBride. Dy skuadrat luftojnë për topin dhe pika e kthesës vjen në minutën e 40-të. Irani merr epërsinë falë një goditjeje me kokë nga Estili. Shtetet e Bashkuara përpiqen të balancojnë rezultatin, por fati nuk është saktësisht në anën e tyre këtë mbrëmje; një tjetër traversë për amerikanët. Në 84 ’, Irani dyfishin rezultatin me një aksion individual nga Mahdavikia.

Mahdavikia

Pak minuta para përfundimit, duket se tashmë rezultati është i dukshëm, me një avantazh prej dy golash dhe mrekullia duket e realizuar. Por nuk ka mbaruar akoma. McBride shkurton distancën, falë një daljeje katastrofike të portierit iranian Abedzadeh. Asgjë tjetër nuk ndodh dhe me fishkëllimën e trefishtë, pankina iraniane pushton fushën, në një ulërimë gëzimi që fillon nga Lyon dhe vazhdon deri në Teheran. Ajo që ndodhi pas kualifikimit përsëritet, dhe në një mënyrë edhe më të madhe. Populli del në rrugë për të festuar fitoren kundër armikut. Ka edhe gra ndërmjet njerëzve që festojnë, por qeveria arrin të fshehë imazhet e tyre nga festimet, ku siç duket, edhe njëherë alkoli është pjesë e këtyre festimeve.

Por nëse fitorja ishte e rëndësishme, rezultati jashtë-futbollistik ishte edhe më i rëndësishëm. Fotografia e dy skuadrave, trëndafilat e bardhë, shtrëngimi i duarve. Edhe një herë, sporti, futbolli, arrin të veprojë si një urë, duke thyer murin që kishte krijuar politika. Që nga ai moment, në kohën e duhur dhe me gjithë tensionet (edhe sot), marrëdhëniet midis dy shteteve do të përmirësoheshin. E gjitha që mbetet është të përfundojmë me fjalët e mbrojtësit amerikan Jeff Agoos:”Ne kemi bërë në 90 minuta më shumë sesa politikanët në 20 vjet!”

LAJME TË TJERA >>