Për Edi Rejën mund të jetë ndeshja e fundit në stolin kuqezi ajo me Armeninë, që luhet nesër, në ‘Air Albania’. Para kësaj sfide, trajneri italian doli në konferencë shtypi bashkë me Elseid Hysajn dhe mes të tjerash theksoi se dëshiron të vazhdojë me Shqipërinë:
“E kemi thënë shpesh si është situata e kontratës. Unë nuk kam probleme. Shqipëria ka pasur rritje konstante dhe mendoj se kam bërë një punë të mirë, por nuk më takon mua të gjykoj. Duhet të fshijmë vetëm periudhën e fundit, me Izraelin e Islandën, ku kishte pritshmëri më shumë. Ka pasur edhe episode. Nëse do të hiqnim kohët shtesë, mund të ishim në krye.
Ndjej se mund të vazhdoj, por nuk më takon mua të jap vlerësimin. Tani po punojmë me të rinjtë, po afrojmë disa, po shoh lojtarët e kampionatit shqiptar dhe do të mundohem të aktivizoj ndonjë. Diçka duhet përmirësuar në aspektin e mentalitetit, sepse mungon në pjesë të ndeshjes. Jemi të ndërgjegjshëm për defektet e problemet tona.
Nëse do gjenim një lojtar që të konkretizonte gjithë punën që bëjmë, do ishte e shkëlqyer. Kemi një grup të mirë dhe nëse të gjithë e ndjejnë këtë fanellë, është e qartë që aspekti karakterial dhe i dëshirës kalon mbi cilësinë shpesh”, – tha fillimisht trajneri Reja.
Ai u shpreh më pas se objektivi është kualifikimi në Europian, gjithmonë nëse qëndron: “Duhet të luash shanset që ke. Po shoh lojtarë të rinj dhe duhet të veprojmë shpejt, sepse në mars nisin kualifikueset. Kush vjen, duhet të luajë për Shqipërinë, luan apo jo. Duhet të ketë një sjellje shumë pozitive, vlen më shumë të jesh një grup se të kesh cilësi të mira.
Prej një viti nuk fitojmë, është shumë. Armenia është një test i rëndësishëm, do të luajnë disa të rinj nga Superiorja. Kanë bërë mirë me Katarin dhe Arabinë Saudite, tani pres përmirësim. Do të më pëlqente edhe mua të fitonim”.
Edhe Hysaj shpreson për fitore nesër ndaj Armenisë. Ai theksoi se skuadra duhet vtë bazohet te grupi dhe jo tek individët. “Duhet të jemi skuadër. Individ është edhe Mesi dhe nuk po arrin të fitojë Kupën e Botës me Argjentinën.
Ne jemi një grup i mirë, jemi një grup lojtarësh që duhet të bashkohemi akoma, sepse ka edhe çuna të rinj që nuk e kuptojnë akoma mirë. Duhet të jemi të mirë ne të vjetrit që t’i fusim në grup mirë dhe t’i japim një dorë, sepse janë lojtarë me rëndësi dhe duhet që ta kuptojnë që mund të japin më shumë”, – tha Hysaj.