“Refuzimi i ( Albin) Kurtit ndaj Shqipërisë është i pakuptimtë, ndoshta e ka personale me kryeministrin e Shqipërisë (Edi Rama), por edhe atë e kanë votuar qytetarët e Shqipërisë, dhe ne duhet që të mësohemi që t’i respektojmë institucionet shqiptare”, ka thënë në një prononcim për Albanian Post ligjëruesi i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, duke komentuar refuzimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj atij të Shqipërisë, Edi Rama, për të diskutuar për situatën në Kosovë, pas tensioneve të krijuara në Veri, dhe pas kërkesave të ndërkombëtarëve ndaj qeverisë së Kosovës për de-përshkallëzimin e situatës atje.
Rama në një konferencë për media me 13 qershor, beri me dije se mbledhja e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, e paraparë të mbahej me 14 qershor ishte anuluar pasi siç tha ai pas “agravimit të situatës së Kosovës me Bashkësinë Euroatlantike”.
Por, ai kishte kërkuar nga Kurti që të mbahej një mbledhje e një formatit tjetër “më të ngushtë me ministrat e Jashtëm dhe ato të Mbrojtjes për të folur mbi këtë situatë”, të cilën kreu i ekzekutivit kosovar e kishte refuzuar.
Sipas Arifit, Kurti nuk është dashur që ta refuzojë takimin e Ramës, “pra takimin që ka qenë më shumë bilateral, jo atë qeveritar, sepse ndoshta do të mund të gjendej ndonjë zgjidhje për ngërçin që po ekziston, apo për pasojat që mund të na vijnë në një të ardhme të afërme”.
“Prandaj mendoj që; si politikan duhet të dish që t’i ikësh asaj egos personale. Kurti duhet të ishte më pragmatik në qasje, sidomos me kryeministrin e Shqipërisë pavarësisht bindjeve personale. Këtu po flasim më shumë për çështje shtetërore, jo për ato personale, prandaj do të duhej që të takohej dhe të gjejë një formë më të mirë të komunikimit dhe të bashkëpunimit edhe në rrethana jo të favorshme për Republikën e Kosovës”, beson Arifi.
Ndërsa, gazetari dhe publicisti, Halil Matoshi, thotë për Albanian Post se “momentalisht jetojmë në një botë të ndërvarshme, sidomos në bashkësinë e shteteve transatlantike, duke i përqafuar vlerat e përbashkëta”, duke shtuar se “Kosova nuk është një ishull i pavarur grotesk siç po e paraqet Albin Kurti në sytë e botës”.
“Kosova përket në këtë rreshtim Perëndimor jo vetëm për me qenë tubë për t’u mbrojtur bashkë nga klerofashizmi rus, por për të dëshmuar përlartësi kulturore”.
“Shqipëria përket në këtë rreshtim dhe ne si një trung etnik duhet të jemi bashkë, jo në bashkime etnonacionaliste e romantike por si aleanca fleksibile e të vlerave”, vlerëson Matoshi i cili është një kosovocentrik i njohur.
Përveç tensioneve të krijuara pas vendimit të Qeverisë për t’i instaluar në zyrat e tyre kryetarët e katër komunave Veriore, situata agravoi edhe më tej kur xhandarmëria serbe në pikën kufitare me Kosovën kidnapoi tre policë të Kosovës.
Për këtë rast reagoi edhe Rama, madje ishte mjaft i ashpër ndaj Serbisë; kur kërkoi lirimin e menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer.
Ai paralajmëroi se “kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!”.
“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa!”, paralajmëroi Rama.
Por, përveç Serbisë, kreu i ekzekutivit shqiptar pati kritika edhe për Kurtin, i cili është duke refuzuar që t’i dëgjojë kërkesat e aleatëve perëndimor për shtensionimin e situatës në Veri të Kosovës, madje ai paralajmëroi se nëse një gjë e tillë nuk ndodh humbja më e madhe do të jetë për Kosovën, duke qenë se Serbia, sipas tij, mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar.
“Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës”.
Ndërsa, ai ka vijuar t’i bëjë një kërkesë Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilit i përshkruan situatën, duke thënë se Veriu edhe mund të kthehet në një “Republikë të KFOR-it”, nëse situata vijon e tillë dhe nuk merren parasysh kërkesat e ndërkombëtarëve.
“Albin dil nga guaska e vetëizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhtarë! Koha është tani dhe po fluturon”, e përmbyll Rama thirrjen e tij për Kurtin.
Kjo kërkesë e Ramës për Kurtin vjen pas refuzimit të këtij të fundit për tu takuar me kryeministrin shqiptar, pasi që i njëjti edhe në konferencën kur njoftoi anulimin e mbledhjes së dy qeverive, kishte paralajmëruar masat të rënda për Kosovën, e gjithë kjo pas mospërfilljes së kërkesave të perëndimit nga ana e qeverisë së Kosovës.
Edhe takimi i propozuar nga Rama për të biseduar me Kurtin ishte në këtë kontekst; situata e rëndë në Veri dhe paralajmërimi i aleatëve për sanksione ndaj Kosovës.
Por, a ka qenë një mesazh për bashkësinë ndërkombëtare refuzimi Kurtit për takimin e Ramës, nuk mund ta di me saktësi as profesori Arifi, i cili mendon se mos gatishmëria e kryeministrit kosovar për takim ka të bëjë më shumë me protagonizmin e tij.
“Është e vështirë që të pohohet apo të mohohet, por ajo çka po vërehet është që refuzimi i takimit ka të bëjë më atë që Kurti po dëshiron që të jetë vetë protagonisti kryesor, pra po dëshiron që bashkësisë ndërkombëtare t’i përçojë mesazh që ai është vetëm për pikat që ai ka propozuar dhe qëndron stoik në kërkesat e tij për çështjen e Veriut” pohoi ai për AP.
Për Matoshin “Kurti është një nacionalist i majtë në bindje dhe besime, sëkëndejmi do të bëhet edhe i pabesueshëm në këtë aleancë kombesh euroatlantike por ai nuk mund ta marrë Kosovën më vete në këtë greminë politike”, thekson Matoshi, por, gjithashtu potencon se fuqia më e madhe e botës, amerikanët, “gjithmonë kanë një zgjidhje!”.
Që Shqipëria të jetë pjesë e çështjeve të hapura qe i ka Kosova nuk do të ishte ndonjë dëm, përkundrazi, profesori Arifi beson fuqishëm që do të ishte në funksion të forcimit të pozicionit të Kosovës.
“Në çdo çështje të Kosovës involvimi i Shqipërisë do të jete një fuqi më shumë”, pohoi ai për AP.
Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e 13 qershorit kur njoftoi se është anuluar mbledhja e përbashkët e dy qeverive, deklaroi se pas një bisede me përfaqësuesin e lartë Evropian, Josep Borrell, i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për t’u takuar në një format më të ngushtë me ministrat e Jashtëm dhe ato të Mbrojtjes për të folur mbi këtë situatë.
Por se kryeministri Kurti e ka refuzuar duke theksuar se “duhet të mbahet mbledhja siç ishte planifikuar”.
“Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e Kurtit, shpresoj të ndryshojë”, thoshte Rama, i cili shtoi se, Kosova po shkon drejt sanksioneve, çka edhe u bënë publike disa ditë më vonë nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Për Ramën takimi i dy qeverive nuk ishte i mundur, “pasi nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh me realitetin e Kosovës sot”.
Numri një i Qeverisë shqiptare njoftoi madje se i ka kërkuar kohë “autoriteteve perëndimore” që të mos shkojnë drejt sanksioneve për Qeverinë e Kosovës. Por se Kosova me këtë kurs është në prag “të humnerës”.
Ai paralajmëroi se është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën që do të vihet në lëvizje, referuar sanksioneve nga Bashkësia Euroatlantike.
“Jemi në prag të vënies në lëvizje të planit, se nuk ma zë as goja të flas për sanksione, por të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit”.