Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar lidhur me aksionin e fundit të Prokurorisë së Posaçme SPAK, për arrestimet e bëra sa i takon koncesionit të sterilizimit, ku e quajti një meritë të Partisë Socialiste dhe këmbënguljes për Reformën në Drejtësi, frytin e punës së institucionit.
Përmes një reagimi në median sociale X, Rama shkruan fillimisht se Puna e pandërprerë e SPAK-ut dhe GjKKO edhe në gusht meriton respekt e falenderime!
Por, me këtë rast, ai ka vendosur të rikujtojë se kush e “premtoi, filloi dhe mundësoi Reformën në Drejtësi”.
Sipas tij, Shqipëria vinte pas një kohe të gjatë lëngimi në batakun e padrejtësisë, kur askush s’kishte guxim as ta mendonte, jo ta bënte drejtësinë të pavarur nga qeveria.
Mirëpo, SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit nuk ranë nga qielli, në fjalët e kreut të Qeverisë, duke e marrë meritën të shprehjes së vullnetit të sinqertë dhe të palëkundshëm shtetndërtues.
“Kjo drejtësi sot ka lindur e po rritet përditë, sepse Partia Socialiste e Shqipërisë mbajti zotimin e saj më solemn e më të vështirë për të realizuar, përballë 100 viteve përqeshjeje me drejtësinë në historinë e shtetit shqiptar, kur nuk u prek kurrë dot nga drejtësia asnjë individ i pushtetshëm apo i lidhur me pushtetin, ku drejtësia ishte një shëmtirë e fortë me të dobëtit dhe e dobët me të fortët”, vijon ai më tej.
Ai ngulmon po ashtu se dallgën e drejtësisë e ka ngritur në krye të herës guximi, vullneti dhe ambicia për Shqipërinë e pikërisht Qeverisë së tij, e cila “ndryshon si dita me natën me ato të mëparshmet e 100 vjetëve pengmarrje të drejtësisë”.
Midis rreshtave kushtuar çështjes, Rama beson po ashtu se Shqipëria evropiane po hedh sot shtat dita-ditës mes mijëra sfidave, pengesave dhe vështirësive.
Veçse, ajo do t’i provojë vetes dhe botës se historia nuk është një mallkim i përjashtëm, pasi histori janë vetë njerëzit e çdo gjenerate, të cilët shkruajnë me forcën e ëndrrave, shpresave, këmbënguljes së tyre dhe se në ngjitjen drejt majës që meritojnë brezat që vijnë, këtë vend nuk ka më forcë që ta ndalë të shkruajë një histori të re, përmbyll ai.