Prokurorët e SPAK kanë zbritur në terren në Kukës mëngjesin e 19 qershorit, ku kanë sekuestruar serverin e kamerave të sigurisë, si edhe dokumente të ndryshme, të cilët mund të ndihmojnë në hetimin e Safet Gjicit, ish-kryebashkiakut, i tërhequr tashmë nga detyra pas publikimit të një videoskandali seksual.
Oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, siç ka mësuar Albanian Post, kanë qëndruar për disa minuta në ambientet e Bashkisë dhe kanë marrë gjithashtu edhe kontaktet e punonjësve të informatikës në administratën rajonale.
Bashkëngjitur, janë marrë edhe disa dosje, rreth të cilave mund të bëhet verifikimi nëse gruaja që është pjesë e videos, ka paraqitur apo jo projekte pranë Bashkisë dhe nëse ato janë miratuar.
Kjo e fundit, është bërë po ashtu pjesë e hetimit, për arsye se nga të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit, gruaja në fjalë në vitin 2021 ka themeluar një kompania me qendër në Tiranë, e cila ka si objekt “shërbime konsulence dhe shërbime menaxheriale për biznese të treta”.
Për këtë arsye, nga SPAK pritet të ndodhë një hetim i thellë i një dosjeje voluminoze, e cila do të shkojë në rrënjë të punës që Gjici ka kryer në mandatin e tij katër-vjeçar në krye të bashkisë.
Kështu, do të shihet edhe nëse ajo ka përfituar nga tenderë apo projekte publike në emër të kompanisë apo të personave të tretë.
Vetë ish-kryebashkiaku nga ana tjetër, po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
SPAK thekson se pas sqarimit të rrethanave nga verifikimi që po kryhet për këtë çështje, situata penale mund të ndryshojë.
Si fillim pika kyçe e çështjes është dëshmia e vajzës, e cila është identifikuar nga Prokuroria e Posaçme.
Gjithashtu hetime po kryhen edhe për rrethanat në të cilin është kryer filmimi, për qëllimin dhe për arsyet e publikimit të videos intime.
Videoja ka qarkulluar gjerësisht në media sociale mëngjesin e 16 qershorit fillimisht, ku është shpërndarë edhe në platformën “WhatsApp”.
Ajo është filmuar më datë 6 qershor dhe nuk dihet ende se e kujt është autorësia e videos, ose rrethanat në të cilën është filmuar.
Megjithatë, videoja intime e ish-kryebashkiakut kuksian, mund të rezultojë më e rëndë, pasi përveç shpërdorimit të detyrës, Gjici rrezikon të akuzohet edhe për korrupsion.
Gazetari investigativ Artan Hoxha, ka publikuar një pjesë tjetër të video-skandalit të kryebashkiakut Safet Gjici në Facebook, pak momente pas aktit seksual.
Ai shkruan se skandali po përpiqet që të mbyllet dhe bëhet fjalë për një aferë me tenderë për sterilizimin dhe kujdesin ndaj qenve të rrugës dhe se marrëdhënie e të dyve ishte edhe biznesi.
“Marrëdhënia mes ish-kryebashkiakut të Kukësit Safet Gjici dhe vajzës A.K., nuk ishte thjesht një çështje flirti, por preludi i një afere biznesi… Tentativa për ta mbuluar të vërtetën edhe tre ditë pas publikimit të videos, tashmë është e dukshme. Në të vërtetë, nuk është vetëm një shkelje etike e zyrtarit më të lartë lokal të zgjedhur me votat e popullit, por një aferë e pastër korrupsioni për të përfituar nga paratë e taksapaguesve të varfër shqiptarë”, – shkruan Hoxha në rrjetet sociale.
Video skandali është i gjatë 17 minuta, ku veç minutazhit erotik, Safet Gjici në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Kukës, komunikon me A.K., duke e orientuar këtë të fundit të dorëzojë dokumentet si plan dhe preventiv financiar me qëllim miratimin e projekt-idesë.
Sakaq, pas publikimit të videos, Safet Gjici ka pranuar marrëdhënien seksuale që kanë pasur me njëri-tjetrin. Pak orë më vonë, qeveria njoftoi se kishte shkarkuar kryebshkiakun Gjici nga detyra.
Pjesë nga video
A.K.: Do më ndihmosh të bëj një rrethim për qentë apo jo?! Eeee, na sajo ndonjë punë këtu re, të vi të marr një shpi me qira këtu. Kam dy shkolla. Shteti do me paguajë, s’do më paguash ti…
Safet Gjici: Për qentë?!
A.K.: Hë?
Safet Gjici: Tani.
Do shkosh, do ta thërrasim këtë që merret me këto punët e qenve. Do t’ia lësh ato…
A.K.: Letrat, po.
Safet Gjici: Se si i ke, se duhet kalu me vendim këshilli kjo e para.
A.K. : Se kam gjetur gjithë atë tokë. 400 mijë lekë të vjetra shkonte thurja me të përdorura.
Safet Gjici: Po mirë se nuk është problemi aty, problemi është që, ne si do ta kryejmë procedurën, që gjithë qentë e rrugës që marrim këtu, t’i sjellim atje dhe si shkon, sa shkon situacioni, preventivi, njërën, tjetrën…
A.K.: I kam me projekt të tëra.
Safet Gjici: Me projekt??!! Tani ta thërras unë këtë, edhe shko ti aty te…
A.K.: Është këtu te bashkia??
Ndërsa, raste të tjera të ngjashme ka pasur edhe në të shkuarën, ku në një skandal të tillë ka rënë edhe ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili.
Apo, më parë, skandalet seksuale kanë shkuar edhe në nivel ministror, me Ylli Pangon, i cili u shkarkua nga detyra pikërisht lidhur me ngjarje të tilla të ngjashme.