Nga një konferencë për mediat kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nafta e zbuluar në Shpirag të Beratit është e cilësisë më të lartë ndonjëherë në vend.
Ai shtoi se cilësia e saj mund të krahasohet – ose më saktë – është në të njëjtat nivele si nafta Premium e Arabisë Saudite.
Numri një i Qeverisë u shpreh se informacionet në këtë fazë janë konfidenciale.
“Testi do nisë në tetor dhe rezultatet bazohen në ndjekjen e qëndrueshmërisë së fluksit që del mbi sipërfaqe”.
Ai sqaroi se investimi nis me 3 miliardë euro dhe deri në përfundim të të gjithë infrastrukturës së nevojshme do të shkojë 7 miliardë investim në vendin tonë.
“Një investim që parashikon ndërtimin e gjithë infrastrukturës dhe logjistikës për depozitimin e rezervës, ndarjen në gaz, në naftë dhe në sulfur dhe kjo e treta ka një rëndësi të veçantë sepse krijon një bazë qoftë për prodhimin e imputeve bujqësore, qoftë për prodhimet kozmetike, bazë që Shqipëria mundet ta shfrytëzojë për të ndërtuar një komponent të ri industrial që sot na mungon”.
Rama shtoi se taksat që do mblidhen çdo vit nga nxjerrja e naftës në Shpirag dhe që parashikohet të jenë qindra milionë dollarë në vit qeveria planifikon t’i administrojë ato nga Fondi Sovran.
“Jemi në një proces pune konkrete të konsultuar me fondit sovran të Norvegjisë, dhe fondi ynë sovran do ketë një profil i cili do të integrojë domosdoshmërinë për mbështetjen e pensionistëve dhe balancimin e gjithë barrës së tmerrshme te trashëguar nga e shkuara”.
Më tej kryeministri u shpreh se paralelisht po vijojnë kërkimet edhe në fushën e Dumresë në Divjakë.
Rama tha se ka të dhëna optimiste, por kompania italiane “Eni” është pak pas, për shkak se u bllokua nga pandemia COVID-19, por puna ka nisur.
“Besoj shumë që impakti i kësaj zone të re, të pashfrytëzuar të potencialit tonë ekonomik do të jetë i jashtëzakonshëm. Do të jetë burim i ri masiv investimi dhe financimi në organizmin e ekonomisë shqiptare”.
Kryeministri u shpreh se “kemi luftuar këtë trashëgimi me të gjitha mundësitë që kemi pasur duke u gjendur përballë situatash kontraktuale të blinduara dhe të pamundura për tu axhustuar”.
“Për këto kërkime në këtë territor të fushës së burimeve tona natyrore, ne kemi bërë komplet ndryshim të qasjes së shtetit në këto kontrata dhe kemi vendosur marrëdhënie kontraktuale me kompanitë si Shell apo Eni, të një niveli ndërkombëtar”.
Më herët gjatë ditës, Rama, i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektuan zonën ku po kryen shpimet për nxjerrjen e naftës në Shpirag.
Rama theksoi se pas një punë 10-vjeçare shpimi ka arritur në 6 mijë e 2 metra në thellësi të tokës dhe tashmë është prekur një rezervë e madhe naftë e cilësisë së lartë.
Ai shpjegoi se po përgatitet testi vendimtar dhe thekson se nëse do ketë sukses do jetë një kapërcim historik për ekonominë e vendit.
Balluku nga ana tjetër u shpreh se njëra fazë ka përfunduar dhe se priten rezultate në tetor.
Rama mori edhe një dhuratë të veçantë, nga përfaqësuesit e kompanisë Shell – një kokë sonde, me të cilën janë kryer gërmimet për nxjerrjen e naftës.
Sipas Ramës, zbulimi i rëndësishëm i kryer 6.1km në thellësi të tokës naftëmbajtëse, mbart bashkë me premtimin e madh të nxjerrjes së një pasurie të konsiderueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, edhe sfidën e testit përfundimtar teknik të vlerësimit të qëndrueshmërisë së presionit të fluksit të gazit e të naftës, deri mbi sipërfaqen e tokës.
“Në fund të këtij viti do ta mësojmë këtë, ndërkohë që po punojmë paralelisht për projektin e Fondit Sovran që do të administrojë këtë pasuri të madhe kombëtare, duke u nisur nga studimi i vëmendshëm i praktikave botërore të fushës, si fondet sovrane të Norvegjisë, Arabisë Saudite, Azerbajxhanit e me radhë”, thotë numri një i Qeverisë.
Kjo vendndodhje në Berat do e kthejë Shqipërinë në një qendër prioritare energjetike për të gjithë Evropën, pasi bëhet fjalë për një thesar të vërtetë për ekonominë shqiptare.
“Ne jemi në prag të një tjetër zhvillimi shumë të rëndësishëm në fushën e energjisë që ka të bëjë me burimet natyrore. Nuk mund të flas më shumë sepse është ende konfidenciale, por do ta shikoni shumë shpejt, në mos në javët e ardhshme që do të gjendemi përpara një situate krejt tjetër”, konfirmoi gjatë fundjavës kryeministri shqiptar Edi Rama pa dhënë detaje të tjera.
Njoftimin e shumëpritur për të gjithë shqiptarët pritet ta bëjë vetë kompania shumëkombëshe, zbulojnë më tej burimet.
Sipas të dhënave, “ari i zi” i Shpiragut në Blloqet 2 dhe 3 mund të arrijë një kuotë prej afro 6 milionë fuçi naftë nga 1 milion ton të parashikuara se mund të nxirren në një vit kalendarik nga vendburimet e naftës.
Që prej pushtimit të Ukrainës nga Rusia, shumë vende janë zotuar t’i japin fund ose të kufizojnë importet e tyre të naftës dhe gazit për të zvogëluar të ardhurat e Moskës dhe për të penguar përpjekjet e saj për luftë.
Vendet e BE-së kanë përfunduar importet e naftës ruse të sjellë nga deti dhe një ndalim për produktet e naftës së rafinuar do të vijë nga 5 shkurti.
Sektori rus i gazit ka qenë gjithashtu në shënjestër. BE-ja tha në mars se do të shkurtojë importet e gazit nga Rusia me dy të tretat brenda një viti.