Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të zhvillojë një takim trepalësh me homologët e tij nga Turqia e Irani, për të diskutuar mbi çështjet e Lindjes së Mesme si edhe raportet mes perëndimit dhe lindjes.
Së bashku me presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, Putin do të udhëtojë drejt Teheranit, për t’u takuar me Ebrahim Raisin.
Formati, do të jetë ai i një modeli “Astana”, me në vëmendje zgjidhjen e qasjeve të ndryshme për Sirinë dhe çështjen e luftës në Ukrainë.
Kabinetet e tre liderëve pritet po ashtu të zhvillojnë disa takime trepalëshe të nivelit të lartë, ku do të flitet për luftën në Ukrainë dhe marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 mes Iranit dhe SHBA-ve, e cila prej vitesh e shfuqizuar, pret një jetë të re bisedimesh.
Ankaraja zyrtare, në pjesën më të madhe të situatave gjeopolitike, është e vënë përballë Moskës dhe Teheranit.
Fjala bie, në Siri, ka tensione të vazhdueshme mes palës ruse dhe asaj turke. Irani në këtë aspekt, është i rreshtuar kah Kremlinit.
Erdogan nga ana tjetër, deklaroi me 1 qershor se Turqia do të ndërmarrë një operacion ushtarak në dy qytetet e fundit siriane, të cilat i quan “terroriste” dhe ku dyshohet se ka grupe të armatosura kurdë.
Rusia dhe Irani nga ana tjetër, mbështesin fuqimisht presidentin në pushtet, Bashar al-Assad, i cili e ka mbajtur kontrollin e pozitës së tij që prej fillimit të luftës civile 10 vjet më parë.
Në çështjen e Ukrainës, Erdogan ka qenë shumë i balancuar mbi deklaratat e tij dhe ka bërë të mundur të mbajë një ekuilibër mes dy shteteve në konflikt.
Ankaraja e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë, por nuk ka ndërmarrë sanksione ndaj Moskës. kjo gjë, i ka bërë ata mediatorë të dialogut shpesh herë.
Një tjetër pikë ku bisedimet mund të ndalen është edhe shitja e dronëve, ku sipas pretendimeve amerikane, Irani është duke kërkuar t’i shesë dronët e tij Rusisë.
Kremlini e ka shmangur tërësisht komentin mbi këtë pjesë, por gjasat janë që diçka e tillë të ndodhë.
Bisedimet mes Iranit dhe SHBA-ve zor se do të marrin zgjidhje prej takimit trepalësh në Teheran. Megjithatë, Turqia mundet edhe ta kërkojë një rol të shtuar në bisedime, duke qenë se është e mënjanur për shkak të ndërmjetësimit evropian në çështje.
Do të jetë pikë diskutimi edhe gruri ukrainas?
Gjasat janë po dhe jo vetëm. Temë diskutimi, mund të jetë edhe energjia, ndër temat më të rëndësishme të muajve të fundit.