Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të mbajë një takim të jashtëzakonshëm me Këshillin e Sigurimit Rus.
Mbledhja e madhe pritet të zhvillohet më vonë gjatë ditës.
Ndërkaq, autoritetet ruse kanë deklaruar se nuk ka plane konkrete për samitin.
Kremlin-i zyrtar ka nënvizuar se nuk ka “plane konkrete” për një samit mbi Ukrainën midis presidentit amerikan Joe Biden dhe homologut rus Vladimir Putin.
Zëdhënësi i Kremlin-it, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se ishte “e parakohshme të flitej për ndonjë plan specifik për organizimin e çdo lloj samiti”.
Më herët, u raportua se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ra dakord “në parim” për të mbajtur një samit me udhëheqësin rus Vladimir Putin.
Biden tha se takimi mund të zhvillohet vetëm “nëse Rusia nuk pushton Ukrainën”.
Ky lajm u konfirmua nga Shtëpia e Bardhë dhe zyra e presidentit francez Emmanuel Macron.
Marrëveshja, sipas tyre, ishte arritur pas dy telefonatave që Macron pati me liderët e SHBA-ve dhe Rusisë.
Sipas Élysee-s, Putin gjithashtu “e kishte pranuar në parim një samit të tillë”.
Sekretarja e shtypit, Jen Psaki, tha se samiti do të pasojë takimin e planifikuar të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov.
Diplomatët do të takohen në Evropë gjatë kësaj jave. Ky takim do të zhvillohet vetëm nëse Rusia “nuk vazhdon me veprimet e saj ushtarake”.