Ai që dukej si mirazh i largët dhe imagjinatë e shfrenuar sapo u bë realitet.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i shpall luftë Ukrainës.
Ndërkohë, që Këshilli i Sigurimit pranë OKB-së po zhvillonte mbledhjen urgjente të kërkuar, e gjithë vëmendja botërore kishte “ngrirë” nga Kremlin-i.
Gjatë një fjalimi të paparalajmëruar, udhëheqësi rus deklaroi shpalljen e një operacioni special ushtarak.
“Rusia nuk mund të ndihet e sigurt me kërcënimin nga Ukraina. Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të përdorim mjetet që do të shpallim”, do të theksonte kreu i shtetit rus.
Sipas tij, qëllimi prapa këtij vendimi është “çmilitarizimi i Ukrainës” dhe “ndëshkimi i nazistëve dhe kriminelëve”.
Pra, Putin paralajmëron se Donbas-i nuk është adresari i vetëm i këtij operacioni special.
“Të gjithë ushtarakët ukrainas që do të dorëzojnë armët do të mund të kthehen në familjet e tyre”, vijoi presidenti rus në fjalimin e tij të paprecedentë.
Një thirrje ai e pati edhe për ata të cilët, sipas tij, do përpiqen ta pengojnë.
Ata, shtoi Putin, do të marrin një përgjigje ushtarake.
“Ne jemi gati për çdo gjë”, ishte deklarata e fortë e udhëheqësit rus.